Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Vazhdon dokumentimi i IKKL-së përmes dëshmive, materialeve arkivore dhe bashkëpunimit institucional

Gjatë javës, z. Shqiptar Demaçi vizitoi IKKL-në, ku u zhvillua takim pune për organizimin dhe përgatitjet për Forumin. Ai kontribuoi me ide dhe rekomandime, si dhe vizitoi arkivin e Institutit, ku u njoh nga afër me materialet e ruajtura.

Stafi i IKKL-së priti edhe Hydajet Hysenin dhe Naime Maqastenën, ish të burgosur politike, me të cilët diskutoi për Forumin III të Ish të Burgosurve Politikë, përvojat e ish të burgosurve politikë dhe rëndësinë e dokumentimit të përndjekjes politike në Kosovë.

Vehbi Shatri dorëzoi materiale dokumentuese me rëndësi për pasurimin e arkivit të Institutit, të cilat shërbejnë si burime për dokumentimin e dhunës dhe represionit të ushtruar nga regjimi serb në Kosovë.

Në Zyrën Rajonale të IKKL-së në Gjakovë, Mevlyde Mezini Saraçi, veprimtare, ish-deputete dhe ish e burgosur politike, dorëzoi materiale, dokumente, fotografi dhe dëshmi nga veprimtaria e saj dhe periudha e burgosjes më 1998.

Zana Sokoli Turtulla ndau rrëfimin për përvojën e saj si refugjate gjatë luftës në Kosovë, kur ishte nëntë vjeçe. Ajo dorëzoi dëshminë e saj, materiale dokumentuese dhe certifikatën e refugjatit të lëshuar nga shteti gjerman, duke kontribuar në dokumentimin e përvojave të refugjatëve.

Në takimin me Aleksandar Krzhalovskin, nga Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Maqedoninë e Veriut, dhe Nazim Rashidin, redaktor/gazetar i podcastit “Rishtazi” të platformës digjitale të gazetës “Koha” në Shkup, IKKL-së iu dorëzuan rreth 150 MB materiale digjitale dhe tri raporte fizike që dokumentojnë dëbimin e shqiptarëve të Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

Donika Cetta dhuroi 13 vëllime të librave të babait të saj, Anton Çetta, duke kontribuar në pasurimin e arkivit dhe shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm me Institutin.

Ndërkaq, prof. Ymer Havolli dorëzoi raportet e Institutit “Riinvest” lidhur me dëmet e shkaktuara gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998–1999. Këto raporte përbëjnë burime të rëndësishme për evidentimin e pasojave të luftës dhe për hulumtime të mëtejshme.

IKKL-ja vlerëson kontributin e të gjithë bashkëpunëtorëve në mbledhjen dhe ruajtjen e materialeve dokumentuese.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors