Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Stafi i IKKL-së realizoi një vizitë pune në Shkup, me qëllim të grumbullimit të materialeve arkivore dhe identifikimit të burimeve relevante për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, veçanërisht dëbimin dhe eksodin e popullsisë civile kosovare gjatë vitit 1999.

Vizita nisi në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku delegacioni u prit nga zëvendësministri z. Astrit Yseini, së bashku me z. Nimet Jakupi dhe z. Burim Ramadani. Zëvendësministri Yseini vlerësoi punën e IKKL-së dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur identifikimin dhe sigurimin e dokumenteve me rëndësi për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës.

Delegacioni zhvilloi takim edhe në Televizionin MTV 2 me kryeredaktoren znj. Nora Kaliqi, ku u diskutua për rëndësinë e materialeve audiovizuale që dokumentojnë dëbimin e shqiptarëve të Kosovës dhe zhvillimet e vitit 1999. Znj. Kaliqi u zotua të angazhohet në identifikimin dhe sigurimin e materialeve relevante nga arkivi i MTV 2.

Në kuadër të vizitës, IKKL zhvilloi takime edhe me gazetaret znj. Merita Çoçolli dhe znj. Dijana Toska, si dhe me z. Emin Azemi, të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e dëbimit të shqiptarëve të Kosovës. Me këtë rast, u nënshkruan procesverbalet për dorëzimin e materialeve arkivore që disponojnë, për ruajtjen, sistemimin dhe përdorimin e tyre në dokumentimin historik e institucional të krimeve të luftës.

Këto takime përbëjnë një hap të rëndësishëm në përpjekjet e IKKL-së për mbledhjen, ruajtjen dhe sistemimin e dëshmive mbi krimet e luftës. Dokumentet, fotografitë, incizimet televizive dhe dëshmitë e tjera janë burime të çmuara për ndërtimin e arkivit institucional dhe dokumentimin e së vërtetës mbi krimet dhe pasojat e luftës.

IKKL shpreh mirënjohjen për institucionet, gazetarët dhe të gjithë kontribuuesit për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e tyre. Ruajtja e këtyre dëshmive është thelbësore për kujtesën kolektive, dokumentimin e krimeve të luftës dhe përcjelljen e së vërtetës te brezat e ardhshëm.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors