Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Stafi i IKKL-së, në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të institucioneve lokale, mediave dhe shoqërisë civile, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e misionit të institutit.

Vizita nisi në Komunën e Likovës, ku stafi i IKKL-së u prit nga Kryetari i Komunës, z. Erkan Arifi. Gjatë takimit, Kryetari Arifi u njoh me punën dhe misionin e IKKL-së, si dhe me nevojën për mbështetje në identifikimin e burimeve dhe materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë.

Më pas, vizita vazhdoi në Televizionin Festa në Kumanovë, ku stafi i IKKL-së u prit nga Drejtori, z. Nexhat Aqifi. Gjatë takimit u diskutua rëndësia e bashkëpunimit mediatik në dokumentimin e krimeve të luftës dhe në sensibilizimin e opinionit publik. Drejtori Aqifi shprehu mbështetjen për nismat e IKKL-së dhe gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen.

Në kuadër të vizitës u zhvillua edhe një takim me Prof. Etem Xheladinin, Kryetar Nderi i Shoqatës së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” Kumanovë–Likovë dhe nënkryetar i Organizatës Humanitare “El-Hilal” në Shkup. Gjatë takimit u vlerësua kontributi i tij i çmuar në fushën e arsimit dhe humanizmit, si dhe angazhimi gjatë luftës në koordinimin e konvojeve humanitare drejt zonave të krizës.

Po ashtu, stafi i IKKL-së u takua me z. Bashkim Amidi, Kryetar i Këshillit për pritjen e refugjatëve nga Kosova në kuadër të Bashkësisë Lokale në Komunën e Likovës, në koordinimin e ndihmës humanitare dhe mbështetjen e komunitetit gjatë periudhës së krizës.

IKKL shpreh mirënjohje të thellë për institucionet dhe partnerët lokalë në Maqedoninë e Veriut për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe fton të gjithë qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo dëshmi nga lufta në Kosovë t’i dorëzojnë ato në Institut. Çdo material i ruajtur përbën një hap më afër së vërtetës, drejtësisë dhe ruajtjes së kujtesës kolektive.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors