Në prezantimin e tij, Hetemi trajtoi mënyrën se si shqiptarët dhe popujt sllavë të Jugut e kanë perceptuar njëri-tjetrin në kontekstin e ish-Jugosllavisë, duke analizuar rolin e orientalizmit, balkanizmit dhe stereotipeve të prodhuara e të riprodhuara përmes diskurseve politike, institucionale dhe shoqërore. Një vëmendje e veçantë iu kushtua mënyrës se si identitetet kombëtare janë ndërtuar edhe përmes distancimit nga “Tjetri”, si dhe ndikimit që këto narrativa kanë pasur në marrëdhëniet shqiptaro-serbe.
Ligjërata solli gjithashtu në diskutim origjinën dhe institucionalizimin e stereotipeve ndaj shqiptarëve, zhvillimet e tyre gjatë periudhës jugosllave dhe mënyrën se si paragjykimet historike vazhdojnë të ndikojnë në perceptimet ndëretnike edhe sot.
Pjesëmarrja e IKKL-së në këtë forum të rëndësishëm akademik ndërkombëtar kontribuon në zgjerimin e debatit shkencor mbi të kaluarën, kujtesën, identitetin dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve në Kosovë dhe në rajon.
