Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Në kuadër të punës për dokumentimin dhe ruajtjen e dëshmive lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, IKKL ka vazhduar takimet dhe bashkëpunimin me qytetarë, aktivistë, ish-veprimtarë dhe përfaqësues të diasporës shqiptare, të cilët kanë kontribuar me materiale dhe dëshmi me vlerë për arkivin e Institutit.

Z. Veli Karaça nga Vushtrria, ish-epror ushtarak dhe aktivist që nga vitet ’80, i dorëzoi IKKL-së librin “Vushtrria gjatë viteve të rezistencës 1990–1999”, të cilin e ka bashkautor me Pajazit Pllanën.

Në takim u prit edhe znj. Lindita Azizi, gazetare në Radio Televizionin e Kosovës. Gjatë takimit, ajo u njoh nga afër me punën, aktivitetet dhe misionin e Institutit, nënshkroi procesverbalin e dorëzim-pranimit dhe shprehu gatishmërinë për t’i dorëzuar materialet që posedon, si dhe për ta mbështetur IKKL-në në procesin e dokumentimit të krimeve të luftës.

Z. Sabit Luta nga fshati Ivajë, Komuna e Kaçanikut, anëtar i KMDLNJ-së, dorëzoi fotografi dhe dëshmi që dokumentojnë ndarjen nga familja, arrestimin dhe maltretimin e tij nga forcat policore serbe, për shkak të përkatësisë së tij kombëtare dhe angazhimit në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Z. Qazim Livoreka nga fshati Ivajë, Komuna e Kaçanikut, ish-drejtor i Shkollës “Dituria”, dorëzoi materiale që dëshmojnë granatimin dhe shkatërrimin e objektit shkollor nga policia dhe ushtria serbe.

Z. Kemail Guri nga Nikaj i Kaçanikut, veteran i UÇK-së, dorëzoi dëshmi për dy vëllezërit e tij, njërin dëshmor dhe tjetrin martir, materiale me rëndësi të veçantë për dokumentimin e ngjarjeve të luftës në Kosovë.

Z. Ferik Haziri, aktivist nga Savrova e Suharekës, nënshkroi procesverbalin e dorëzim-pranimit dhe dorëzoi dokumente e fotografi që dokumentojnë burgosjet, dhunën dhe vrasjet gjatë luftës në Kosovë, ngjarje në të cilat ai dhe familja e tij ishin drejtpërdrejt të prekur.

Gjatë vizitës zyrtare në Francë, stafi i IKKL-së realizoi takim me z. Blerim Zeqiri nga Shoqata “Dardanët” në Portiliere. Gjatë takimit, z. Zeqiri shprehu gatishmërinë për të mbështetur misionin e Institutit, nënshkroi procesverbalin e bashkëpunimit dhe u deklarua i gatshëm që materialet arkivore në posedim t’i dorëzojë në arkivin e IKKL-së.

Një takim tjetër me rëndësi të veçantë u zhvillua me z. Yll Sela, ish-anëtar i LPK-së, dega në Francë, dhe aktualisht kryetar i Shoqatës “Dardania” në Provins. Z. Sela përgëzoi punën dhe angazhimin e Institutit në dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës historike, duke shprehur mbështetjen e tij dhe gatishmërinë për të kontribuar me materiale dhe dokumentacion në arkivin e IKKL-së.

Po ashtu, z. Agim Mani, aktivist gjatë periudhës 1998–1999, nënshkroi procesverbalin e dorëzim-pranimit dhe dorëzoi dokumente të rëndësishme për Institutin, të cilat pasqyrojnë gjendjen politike dhe zhvillimet e kohës deri në përfundimin e luftës.

IKKL shpreh mirënjohjen për të gjithë qytetarët, veprimtarët dhe bashkëpunëtorët që po kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës historike dhe në pasurimin e fondit arkivor të Institutit, në funksion të dokumentimit të së vërtetës dhe shërbimit ndaj brezave të ardhshëm.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors