Në ceremoninë e hapjes mori pjesë Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe personalitete të jetës institucionale dhe politike në Gjermani, përfshirë Hartmut Ganzke dhe Frank Müller, deputetë në Parlamentin e Nordrhein-Westfalenit, si dhe Julia Jacob, kryetarja e parë e qytetit të Essenit. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues diplomatikë, profesorë universitarë, studentë dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme.
Ekspozita paraqet dokumente origjinale, fotografi, raporte të organizatave ndërkombëtare dhe dëshmi autentike mbi helmimet masive të nxënësve shqiptarë në Kosovë gjatë viteve 1990–1992 — një prej ngjarjeve më të rënda dhe më tronditëse të asaj kohe në Evropë.
Përmes kësaj ekspozite synohet ruajtja e kujtesës historike, dokumentimi i krimeve dhe promovimi i së vërtetës për opinionin ndërkombëtar dhe brezat e rinj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Universitetin Duisburg-Essen deri më 15 maj 2026, ndërsa më 16 maj do të prezantohet edhe në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Düsseldorf.








