Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, lansoi sot Raportin e Listës preliminare të personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë. Raporti u prezantua nga Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së, Dr. Atdhe Hetemi.

Raporti paraqet metodologjinë, procesin e dokumentimit dhe analizën e të dhënave të Listës preliminare, e cila përfshin rastet e verifikuara nga IKKL për periudhën e luftës (1 janar 1998 – 20 qershor 1999) dhe periudhën e pasluftës (21 qershor 1999 – 31 dhjetor 2000). Publikimi i kësaj liste shënon fazën e parë të databazës institucionale të IKKL-së, e ndërtuar për të dokumentuar me saktësi pasojat njerëzore të luftës dhe për të shërbyer si një burim i besueshëm për institucionet, studiuesit dhe brezat e ardhshëm.

Të dhënat e raportit pasqyrojnë përmasat e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe theksojnë rëndësinë e dokumentimit të tyre mbi baza profesionale, të paanshme dhe të mbështetura në dëshmi. Çdo emër në këtë listë përfaqëson një jetë, një familje dhe një histori që meriton të ruhet në kujtesën institucionale dhe shoqërore.

Lista është preliminare dhe do të vazhdojë të përditësohet me dokumente dhe dëshmi të reja që verifikohen nga IKKL. Ky proces është pjesë e angazhimit të Institutit për ndërtimin e një databaze gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, në funksion të së vërtetës, kujtesës dhe drejtësisë.

Përmes këtij raporti, IKKL riafirmon përkushtimin për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, ruajtjen e kujtesës kolektive dhe mbështetjen e proceseve të drejtësisë, duke nderuar viktimat dhe duke u shërbyer familjeve të tyre, studiuesve dhe brezave që do të vijnë.

Lista preleminare e publikuar nga IKKL: https://lista-ikkl.rks-gov.net/

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors