Gjatë kësaj jave, Instituti mirëpriti aktorin e mirënjohur nga Struga, z. Xhevat Limani, i cili u njoh nga afër me punën dhe misionin e IKKL-së, nënshkroi procesverbalin e dorëzim-pranimit të materialit arkivor dhe dhuroi botimet e tij, duke shprehur gatishmërinë për ta mbështetur Institutin.
Në kuadër të pasurimit të arkivit, z. Isuf Bejtushi nga Prishtina dorëzoi dokumente të viteve ’90, përfshirë kartonët e gjelbër të të gjithë anëtarëve të familjes së tij.
Stafi i IKKL-së vizitoi Televizionin TËVË1, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm, z. Mehmet Kalisi. Me këtë rast u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit, përmes të cilit TËVË1 do të kontribuojë në pasurimin e arkivit digjital me materiale që lidhen me luftën në Kosovë, si dhe në bashkëpunime të tjera kulturore e mediatike.
IKKL zhvilloi takime me znj. Sabrie Haxhiu, gazetare e Radio Kosovës, e cila dhuroi dokumentarë dhe intervista, si dhe me znj. Fitore Fazliu, e cila dorëzoi materiale lidhur me vrasjen dhe zhdukjen e vëllait të saj gjatë luftës.
Në Mejë, stafi vizitoi shtëpinë-muze të z. Gjokë Sokoli, dëshmitar i masakrës së Mejës. Ai dëshmoi për vrasjen e 20 personave nga forcat serbe në shtëpinë e tij, 6 prej tyre familjarë, dhe dhuroi libra nga veprimtaria e tij, si dhe materiale dokumentuese.
Në kuadër të dokumentimit të dëshmive gojore, u realizuan intervista me z. Rifat Fejza, znj. Xhemile Luta, znj. Rahime Gashi Hoxha dhe z. Xhevat Demiri. Ky i fundit dëshmoi për angazhimin gjatë luftës, trajtimin e rasteve të para të helmimit të nxënësve në Podujevë, arrestimin dhe burgosjen nga forcat serbe më 11 maj, si dhe dorëzoi dokumente dëshmuese.
IKKL falënderon të gjithë kontribuuesit për besimin dhe përkushtimin në ruajtjen e dëshmive dhe kujtesës historike të Kosovës.








