Juristi dhe aktivisti z. Naim Sopaj i dorëzoi Institutit 142 fotografi dhe 48 faqe dokumente me vlerë të veçantë historike, të cilat dokumentojnë dhunën dhe dëmet e shkaktuara në prona gjatë periudhës së luftës.
Aktivisti vullnetar z. Bulent Zenuni dorëzoi dëshmi të rëndësishme që i kishte mbledhur gjatë luftës. Ai shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Institutin.
Mësimdhënësi z. Berat Rexha nga fshati Ivaj, Komuna e Kaçanikut, dha dëshmi lidhur me një grup civilësh të zënë rob nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ku ai vetë ishte njëri nga të ndaluarit. Dëshmia e tij përbën burim të rëndësishëm faktesh për dokumentimin e krimeve ndaj popullatës civile në Kosovë.
Po ashtu, juristi z. Shukri Luta nga fshati Ivaj dëshmoi për arrestimin dhe keqtrajtimin nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe gjatë dëbimit të popullatës shqiptare nga ky fshat.
Banorët e fshatit Gjurgjedell, Komuna e Kaçanikut, z. Njazi Elezi dhe z. Avdush Ekezi, dorëzuan dëshmi dhe materiale që dokumentojnë shkatërrimin e shtëpive nga forcat ushtarake dhe policore serbe.
Ndërkaq, z. Shyqeri Jaha nga fshati Stagovë, ish-drejtor i shkollës së fshatit, dorëzoi fotografi që dëshmojnë shkatërrimin e objektit shkollor dhe të shtëpisë së tij gjatë luftës.
Stafi i Institutit zhvilloi gjithashtu takim me publicistin dhe hulumtuesin e dëmeve të luftës në Rozhajë, z. Faruk Daci. Gjatë takimit, ai dorëzoi një libër me vlerë dokumentare dhe njoftoi se së shpejti do të sjellë materiale të tjera arkivore për fondin e Institutit.
Në takim, Instituti priti edhe z. Faruk Asllani, gazetar i gazetës “Kosova Sot” gjatë viteve 1998–1999. Me këtë rast, ai nënshkroi procesverbalin dhe dorëzoi materiale të rëndësishme që pasurojnë fondit arkivor të Institutit dhe ruajtjen e kujtesës historike të luftës në Kosovë.
IKKL shpreh mirënjohje për të gjithë kontribuuesit që, përmes dëshmive, dokumenteve dhe materialeve arkivore, po ndihmojnë në dokumentimin e së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë


