Bilbil Hereni, aktor-regjisor nga Kukësi me vendbanim në Tiranë, dhuroi për Institutin librin e tij “Krushqit e Lirisë”, i cili trajton luftën e Kosovës më 1999, keqtrajtimet ndaj popullatës civile shqiptare, mbështetjen për ushtarët e plagosur dhe pjesëmarrjen e vullnetarëve nga Shqipëria në luftë.
Sajmije Thaçi dhe Bekim Maçestena vizituan Institutin dhe dorëzuan dokumente me vlerë historike. Z. Maçestena dorëzoi dokumente dhe fotografi që dëshmojnë dhunën e regjimit serb gjatë viteve 1989–1999, ndërsa znj. Thaçi ditarin e saj personal me përshkrime të përjetimeve dhe maltretimeve të popullatës shqiptare.
Drejtoresha e SYRI TV, Dionisa Haxhiavdyli, nënshkroi procesverbalin për dorëzimin e materialeve, përfshirë dokumentarë, rrëfime dëshmitarësh dhe pamje të shkatërrimeve të shtëpive.
Bekim Shyti dorëzoi materiale arkivore që dokumentojnë Betejën e Prekazit, duke dhënë kështu kontribut të çmuar në ruajtjen e së vërtetës historike.
Së bashku me përfaqësuesen e RTV Malisheva, Arbenita Tredharaku, u nënshkrua procesverbali dhe u dorëzuan video-materiale, dokumentarë, rrëfime dhe kronika lufte.
Ismet Emini dorëzoi koleksion fotografish që dokumentojnë krimet në Reçak, dëshmi me rëndësi të veçantë historike.
Sali O. Kabashi dhuroi librin mbi dokumentimin e dhunës së regjimit serb në Istog (1968–2008). Ndërsa Burim Kabashi, i mbajtur në burgun e Gurakocit, dorëzoi fotografi dhe video që dëshmojnë përjetimet e tij gjatë luftës, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim të mëtejmë.
Botuesi dhe gazetari nga Tirana, Ylli Molla, dhuroi librin “Plani sekret për Kosovën”, ku paraqiten dëshmi të drejtuesve të lartë ushtarakë shqiptarë nga vitet ’80 deri në përfundimin e luftës dhe rolin e UÇK-së.
Po ashtu, Bajrame Tafallari dorëzoi librin-ditar të luftës dhe fotografi të të vrarëve në masakrën e Tusuzit, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës historike.
Ndërkohë, Jeton Hoxha dorëzoi dokumente gjyqësore të babait të tij, Ymer Hoxha, të cilat dëshmojnë vuajtjet e tij në burg gjatë viteve ’80 nga regjimi serb.
IKKL i shpreh mirënjohje për secilit për besimin dhe kontributin e dhënë në pasurimin e arkivit institucional. Instituti fton të gjithë qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo dëshmi nga periudha e luftës t’i dorëzojnë ato pranë Institutit. Çdo material i ruajtur është një hap drejt së vërtetës dhe ruajtjes së kujtesës kolektive.







