Në Strugë, delegacioni i IKKL-së u prit nga kryetari i Shoqatës “Nënë Tereza”, z. Pollozhani, me të cilin u diskutua për kontributin e shoqatës gjatë krizës humanitare të luftës. Me këtë rast, Institutit iu dorëzuan 1,600 dokumente arkivore me vlerë të veçantë historike, që dokumentojnë dëbimin e qytetarëve të Kosovës.
Po ashtu, delegacioni zhvilloi takime me z. Agim Coma dhe z. Amdi Vinca (Tv Kaltrina), të cilët i dhuruan Institutit materiale elektronike që dokumentojnë dëbimin e qytetarëve të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Gjatë vizitës në Strugë, stafi i IKKL-së u mirëprit edhe nga kryetari i Komunës së Strugës, z. Mendi Çyra. Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit institucional për ruajtjen dhe dokumentimin e materialeve që dëshmojnë dëbimin e dhunshëm të qytetarëve të Kosovës, si pjesë e rëndësishme e kujtesës historike.
Delegacioni zhvilloi gjithashtu një takim me z.Xhemi Hajredini, i cili, për herë të dytë, i dhuroi Institutit botimet e tij që dokumentojnë dëbimin e qytetarëve të Kosovës gjatë luftës, duke kontribuar në pasurimin e fondit dokumentar të IKKL-së.
Vizita në Strugë u përmbyll me takimin me z. Ruhi Xhila, i cili u njoh me punën e Institutit, vlerësoi angazhimin e stafit në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë për të kontribuar me materiale të tjera me vlerë dokumentare.
Misioni i IKKL-së vazhdoi në Dibër, ku delegacioni u takua me z. Gëzim Ostreni, i cili i dorëzoi Institutit materiale të rëndësishme arkivore dhe dha një intervistë mbi përjetimet e tij gjatë luftës në Kosovë. Ai vlerësoi punën e Institutit dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj misionit të tij.
Delegacioni u prit edhe në Komunën e Dibrës nga shefja e kabinetit, znj. Majlinda Kaba Osmani, e cila rikonfirmoi gatishmërinë e komunës për të mbështetur identifikimin e burimeve relevante për dokumentimin e luftës. IKKL shpreh mirënjohje për Komunën e Dibrës, e veçanërisht për znj. Kaba Osmani, për organizimin dhe koordinimin e takimeve me individë dhe organizata që kanë ruajtur dëshmi të rëndësishme nga periudha e luftës.
Në kuadër të vizitës u zhvillua takim edhe me përfaqësuesit e Shoqatës “Nënë Tereza” në Dibër, Isak Shehu dhe Ajredin Kërçishta, të cilët gjatë luftës dhanë kontribut të çmuar në strehimin e qytetarëve të dëbuar nga Kosova. Me këtë rast, ata i dorëzuan Institutit materiale arkivore dhe u zotuan të vazhdojnë bashkëpunimin me IKKL-në.
Gjithashtu, delegacioni u takua me z. Elmi Kurtishi, përfaqësues i Shoqatës humanitare bamirëse e romëve “Hëna” në Dibër, e cila luajti rol të rëndësishëm në strehimin dhe ndihmën për qytetarët e Kosovës, veçanërisht për pjesëtarët e komunitetit rom.
Vizita u përmbyll me takimet me z. Zini Tale, për kontributin e tij në strehimin dhe ndihmën ndaj qytetarëve të Kosovës gjatë luftës, si dhe me z. Musa Lata, përfaqësues i OJQ-së “El Hilal” – Dega në Dibër, organizatë e njohur për angazhimin e saj humanitar në mbështetje të të dëbuarve nga Kosova gjatë viteve 1998–1999.
IKKL shpreh mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët, institucionet, organizatat dhe individët që kontribuuan në pasurimin e fondit dokumentar të Institutit.







