Gjatë javës së kaluar, Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) mirëpriti një grup studentësh ndërkombëtarë nga Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët u njohën më nga afër me punën dhe misionin e Institutit në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Në kuadër të vizitës, IKKL organizoi një tur studimor në disa prej vendeve të rëndësishme historike dhe memoriale, përfshirë Memorialin e Masakrës së Izbicës, Memorialin e Paraqitjes së Parë Publike të UÇK-së, Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe Kompleksin Memorial të Paklekut.
Vizita në këto vende shërbeu si mundësi për të njohur nga afër dëshmitë dhe kujtesën e njerëzve të prekur nga lufta. Ruajtja e kësaj kujtese dhe dokumentimi i së kaluarës mbeten pjesë thelbësore e misionit dhe punës së IKKL-së.



