Gjatë kësaj jave, IKKL ishte pjesë e vizitës studimore në Mbretërinë e Bashkuar me temën “Different Memories, Shared Futures: Towards Inclusive Memorialisation”, organizuar nga British Council. Në këtë vizitë morën pjesë përfaqësues të organizatave, muzeve dhe institucioneve nga Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia, duke krijuar hapësirë të përbashkët për shkëmbim përvojash mbi praktikat e kujtesës dhe memorializimit të krimeve të luftës në Ballkanin Perëndimor.
Programi përfshiu aktivitete në Belfast, Derry, Monaghan dhe Londër, me fokus në politikat e kujtesës dhe trajtimin e së kaluarës në shoqëritë postkonfliktuoze.
Në Belfast, delegacioni zhvilloi takime me British Council, vizitoi Ulster Museum dhe mori pjesë në diskutime mbi raportin e Komisionit për Flamujt, Identitetin, Kulturën dhe Traditën, si dhe mbi rolin e viktimave dhe të mbijetuarve në proceset e ballafaqimit me të kaluarën. U diskutua gjithashtu për politikën e kujtesës dhe rolin e grave në këtë proces në Irlandën Veriore.
Në Derry u vizitua Museum of Free Derry, ku u prezantua projekti rinor “Here We Stand”, duke theksuar rëndësinë e edukimit për paqe dhe bashkëpunimit ndërmuzeal.
Në Monaghan, delegacioni mori pjesë në aktivitetin “Peace Plus”, me fokus në ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
Në Londër, vizita në Imperial War Museum si dhe diskutimet në King’s College London dhe London School of Economics trajtuan politikën e përkujtimit dhe ndikimin e memorializimit në zhvillimet bashkëkohore.
IKKL u përfaqësua nga Drejtori Ekzekutiv, i cili ndau përvojën e Institutit në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e arkivimit të dëshmive dhe domosdoshmërinë për memorializim që respekton dinjitetin e viktimave dhe kontribuon në paqe të qëndrueshme në rajon.
Faleminderit British Council për mundësinë dhe bashkëpunimin.








