Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Gjatë javëve të fundit, IKKL ka zhvilluar një sërë aktivitetesh në funksion të dokumentimit të krimeve të luftës dhe ruajtjes së kujtesës historike.

Qytetarë, aktivistë, veteranë dhe kontribuues nga komuna të ndryshme të Kosovës dorëzuan materiale me vlerë arkivore, dëshmi dhe dokumentacion që lidhen me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga ushtria dhe forcat paramilitare serbe.

Z. Mentor Bushi nga Pusteniku i Hanit të Elezit dorëzoi dëshmi për dëmet materiale të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë nga ushtria dhe forcat paramilitare serbe, ndërsa z. Ahmet Bushi, drejtor i SHFMU “Ilaz Thaçi”, dorëzoi materiale për vëllain e tij, i cili gjatë shërbimit ushtarak ishte kthyer në arkivol nga Armata Jugosllave, si dhe dëshmi për dëmet materiale të shkaktuara nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe.

Aktivisti Ragip Shala dorëzoi në IKKL anketa, dëshmi dhe materiale dokumentuese për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova në Shqipëri gjatë luftës 1998–1999, duke kontribuar në dokumentimin e krimeve të luftës dhe pasurimin e arkivit institucional.

Po ashtu, z. Nazim Hoxha nga fshati Crnicë i Komunës së Gjilanit dorëzoi materiale me vlerë arkivore dhe nënshkroi procesverbalin e dorëzim-pranimit, ndërsa z. Musa Berisha nga Hani i Elezit dorëzoi dëshmi për vëllain e tij, Isa Berisha, i cili u vra nga ushtria serbe derisa ishte nxënës i klasës së tretë fillore.

Veterani i UÇK-së, z. Remzi Krraba nga Stagova e Kaçanikut, dorëzoi materiale dhe dëshmi të rëndësishme lidhur me krimet e kryera nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe gjatë luftës në Kosovë.

Ndërkaq, z. Rrustem Gudaqi nga Stagova e Kaçanikut, veteran-invalid i UÇK-së, dorëzoi dëshmi të rëndësishme për Masakrën e Stagovës. Ai ndau rrëfime dhe materiale që dëshmojnë për krimet e kryera ndaj civilëve, ku ndër viktimat ishin edhe djali dhe nëna e tij, si dhe vëllai i tij dëshmor i kombit.

Në ambientet e Institutit u pritën z. Uran Tuda, themelues i “Art Kanal”, dhe regjisori nga Struga, z. Agim Coma, kontribuues në dokumentimin e dëbimit të shqiptarëve gjatë luftës 1998–1999. Gjatë vizitës u nënshkrua procesverbali i dorëzim-pranimit dhe u diskutua për bashkëpunim të mëtejmë në ruajtjen e materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e luftës.

Instituti mirëpriti gjithashtu znj. Rudina Xhaferi, mbesën e veprimtarit dhe politikanit shqiptar Arben Xhaferi. Gjatë vizitës, ajo u njoh nga afër me punën dhe misionin e Institutit, si dhe vizitoi arkivin ku ruhen dhe administrohen dokumente e materiale me rëndësi për dokumentimin e krimeve të luftës.

Në IKKL u mirëprit edhe znj. Orgesa Arifi. Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e dokumentimit, hulumtimit, grumbullimit dhe publikimit të materialeve që dëshmojnë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe për rolin e ruajtjes së kujtesës kolektive në ndërtimin e së vërtetës historike.

Po ashtu, në IKKL u prit në takim Dr. Hajzer Dobra nga Verboci i Drenasit. Gjatë vizitës, ai u njoh nga afër me punën dhe misionin e Institutit, vizitoi arkivin e IKKL-së, nënshkroi procesverbalin e dorëzimit dhe dorëzoi materiale dhe dokumente në posedim të tij.

Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, përfaqësues të IKKL-së bënë homazhe në Stagovë dhe Gjurgjedell të Kaçanikut për dëshmorët dhe martirët e kombit, në nderim të sakrificës dhe kontributit të tyre për lirinë e vendit.

Në Stagovë u përkujtua Masakra e Stagovës, ku u vranë 13 civilë të pafajshëm dhe dëshmori Ekrem Gudaqi. Në mesin e viktimave ishte edhe Fitim Rrustem Gudaqi, vetëm 7 vjeç.

IKKL shpreh mirënjohje për secilin kontribuues dhe fton të gjithë qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo dëshmi nga periudha e luftës t’i dorëzojnë në Institut. Çdo material i ruajtur është një kontribut në dokumentimin e së vërtetës, drejtësisë dhe kujtesës kolektive.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors