Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së mori pjesë në Forumin XVII për drejtësinë tranzicionale në vendet post-jugosllave: “E ardhmja përmes së kaluarës”, i organizuar nga RECOM dhe Fondi për të Drejtën Humanitare (FHLC), i mbajtur më 13–14 dhjetor në Zagreb.
Në këtë forum ndërkombëtar, IKKL u ftua të ndajë perspektivat mbi krimet e luftës, krahas institucioneve akademike dhe kërkimore si Universiteti i Zagrebit, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Beogradit, KU Leuven, London School of Economics, Dublin City University (DCU), SSEES (University College London), Instituti i Krimeve të Luftës në Sarajevë, si dhe përfaqësuesve të organizatave dhe institucioneve nga Kosova, Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.
Dr. Hetemi, si diskutues në Panelin 3, me temën: “Gjykimet për krimet e luftës: procesi ligjor dhe efektet e parealizuara (jo)transformuese”, vuri në pah hendekun mes procesit ligjor të gjykimeve dhe mungesës së ndikimit të tyre shoqëror në rajon. Gjatë diskutimit, ai theksoi se Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) ka dënuar autorë të krimeve të luftës në nivele politike, ushtarake dhe policore, për krimet e kryera në Kosovë. Megjithatë, përkundër këtyre vendimeve gjyqësore, mohimi i krimeve nga elitat politike dhe institucionale vazhdon, duke e kufizuar kështu ndikimin transformues të drejtësisë.
“Gjykatat janë të domosdoshme, por ato nuk janë të ndërtuara për të ruajtur kujtesën. Nuk mund të presim që vetëm gjykimet të kontribuojnë në paqe të qëndrueshme. Faktet juridike duhet të barten në jetën edukativo-arsimore, kulturore dhe institucionale. Institucionet ekzistojnë pikërisht për ta çuar përpara të vërtetën, për ta mbrojtur atë nga revizionizmi dhe për ta bërë të qasshme përtej sallave të gjykatave.” – u shpreh z. Hetemi.
Pjesëmarrja e IKKL-së në këtë forum riafirmon përkushtimin institucional për ruajtjen e së vërtetës, dokumentimin e krimeve të luftës dhe mbrojtjen e kujtesës kolektive, si parakushte thelbësore për drejtësi dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

