Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së mbajti ligjëratë para profesoratit dhe studentëve të Universitetit të Tetovës (UT), gjatë së cilës u diskutua rëndësia e dokumentimit të krimeve të luftës nga perspektiva institucionale, si dhe roli i kujtesës kolektive në arritjen e paqes së qëndrueshme në rajon. Vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës që faktet e dokumentuara të mos mbesin vetëm pjesë e arkivave, por të bëhen pjesë integrale e diskursit akademik, edukativ dhe shoqëror.
Aktiviteti u organizua nga Fakulteti Filozofik i UT-së dhe u përshëndet nga Dekani, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i cili theksoi rëndësinë e trajtimit akademik të krimeve të luftës si obligim moral dhe shoqëror, si dhe domosdoshmërinë e reflektimit kritik mbi të kaluarën.
Gjatë ligjëratës, z. Hetemi theksoi se dokumentimi i krimeve të luftës nuk është vetëm proces hulumtues, por edhe detyrim moral dhe institucional, i domosdoshëm për ruajtjen e së vërtetës, parandalimin e revizionizmit dhe mbështetjen e përpjekjeve për drejtësi.
IKKL shpreh falënderim të veçantë për UT-në për organizimin e këtij aktiviteti dhe për pjesëmarrjen aktive të profesoratit dhe studentëve, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjes ndërmjet institucioneve kërkimore dhe universiteteve në trajtimin e së kaluarës dhe edukimin e brezave të rinj.






