Gjatë takimit u prezantuan metodologjia e ndjekur për ndërtimin e databazës, burimet e përdorura, procesi i harmonizimit të të dhënave, si dhe rezultatet e punës së deritanishme të Institutit në dokumentimin e viktimave të luftës. Takimi u zhvillua në frymë konsultimi profesional dhe kishte për qëllim diskutimin, plotësimin dhe verifikimin e mëtejshëm të të dhënave, si hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një evidence shtetërore të saktë, të besueshme dhe metodologjikisht të verifikuar për viktimat e luftës në Kosovë (1998–1999).
IKKL shpreh mirënjohje për pjesëmarrjen, kontributin dhe komentet profesionale të të gjithë të pranishmëve, të cilat do të kontribuojnë në avancimin e mëtejshëm të këtij zhvillimi. Procesi do të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet, ekspertët, organizatat dhe familjarët e viktimave, me synimin që databaza të plotësohet dhe të përditësohet vazhdimisht, në përputhje me mandatin ligjor të IKKL-së dhe standardet më të larta profesionale.










