Dje, ekipi menaxhues dhe hulumtues i projektit “Kujtesa e masakrave në Kosovë: dokumentimi i kujtesës së të mbijetuarve të masakrave në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999″, mbajti takim njoftues dhe informues me banorë, dëshmitarë dhe të mbijetuar të Masakrës së Reçakut. Në kuadër të këtij projekti do të bëhet dokumentimi i kujtesës, duke mbledhur rrëfimet e dëshmitarëve dhe të mbijetuarve të 10 masakrave, përfshirë atë të Reçakut. Kjo masakër është njëra ndër atrocitetet më makabre të kryera nga forcat serbe në mes-janar të vitit 1999. Kjo masakër, edhe pse nuk ishte e para e kryer nga forcat serbe gjatë luftës 1998-99, megjithatë, ishte e para e vizituar nga një përfaqësues ndërkombëtar, William Walker, përfaqësues i misionin Verifikues Ndërkombëtar – OSBE. Ai, nga aty, i dëshmoi botës se, në Reçak, forcat serbe kryen krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Nga aty, Walker kishte bërë thirrje për ndërhyrje nga komuniteti ndërkombëtar. Ashtu dhe ndodhi. Kjo masakër shënon edhe nisjen e përgatitjes së konferencës së Rambujesë, që pasoi edhe fillimin e sulmeve të NATO-s dhe në çlirimin e Kosovës.