Sot përmbyllëm me sukses forumin e parë të kolanës “Zá n’Kujtesë” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ishte një ditë e veçantë, ku rrëfimet e familjarëve, diskutimet e hapura dhe ekspozita përkujtimore, sollën në vëmendje histori të pathëna për ushtarët shqiptarë të vrarë në armatën e ish-Jugosllavisë.
Përmes dëshmive personale, dokumenteve arkivore dhe materialeve të sjella nga familjet e tyre, forumi na kujtoi se pas çdo statistike qëndron një jetë, një familje dhe një histori njerëzore, që meriton të njihet. Këta zëra na ndihmuan të kuptojmë më mirë sfidat dhe padrejtësitë me të cilat janë përballur shqiptarët ndër dekada.
Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve, familjarëve, studiuesve dhe bashkëpunëtorëve që ndanë përvojat dhe mendimet e tyre. Kontributi i secilit prej jush e bëri këtë forum një hap të vërtetë drejt dokumentimit, ndërgjegjësimit dhe kujtesës së përbashkët.
Ky është vetëm fillimi i një nisme që synon të sjellë në vëmendje kapituj të rëndësishëm të historisë sonë dhe të nxisë dialogun për drejtësi dhe të vërtetën. Përmes “Zá n’Kujtesë”, do të vazhdojmë të krijojmë hapësira të reja për dëshmi, reflektim dhe bashkëpunim, duke ndërtuar një kulturë të kujtesës që i shërben shoqërisë sonë sot dhe brezave të ardhshëm.