Sot, Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së, mirëpriti në ambientet e Institutit Prof. Victor Peskin (Arizona State University) dhe Prof. Mietek Boduszyński (Pomona College), si dhe një grup studentësh nga Universiteti i South Carolina, të cilët po qëndrojnë në Kosovë nën udhëheqjen e Prof. Dr. Carl Dahlman. Gjatë takimeve të ndara, Dr. Hetemi prezantoi qasjen institucionale të IKKL-së në dokumentimin e krimeve të luftës, duke theksuar rëndësinë e standardizimit të të dhënave, verifikimit shumëpalësh dhe bashkëpunimit të ngushtë me aktorë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Të ftuarit u njohën nga afër me misionin dhe aktivitetet e Institutit, vizituan sallën e leximit dhe arkivin fizik, si dhe u informuan për përpjekjet që po bëhen për të ndërtuar një kujtesë të qëndrueshme institucionale në funksion të drejtësisë dhe paqes së qëndrueshme.