Gjatë vitit 2024, ekipi i IKKL-së, me një frymë bashkëpunuese dhe solidarizuese, ka zhvilluar mbledhje të rregullta pune çdo të hënë, për të analizuar prioritetet dhe ndarë detyrat, ndërsa çdo të premte ka raportuar për aktivitetet e realizuara. Ky ritëm pune ka siguruar progres të qëndrueshëm dhe ka prodhuar rezultate domethënëse.
Falë këtij angazhimi përkushtues, Instituti është funksionalizuar dhe shtrirë në të gjitha rajonet e Kosovës, duke grumbulluar kështu rreth 200 metra material fizik arkivor dhe mbi 15 terabyte të dhëna digjitale, gjithnjë duke ndjekur një metodologji strikte shkencore. Për më tepër, puna e palodhur e ekipit ka ndihmuar në krijimin e një identiteti të fortë të IKKL-së dhe ka rritur reputacionin e tij brenda dhe jashtë vendit. Mirëpo, padyshim që arritjet e këtij viti nuk janë vetëm si rezultat i përkushtimit të ekipit të IKKL-së, por edhe falë mbështetjes së vazhdueshme nga institucionet e Republikës së Kosovës, në veçanti të Zyrës së Kryeministrit, si dhe qytetarët dhe organizatat vendore e ndërkombëtare.
Prioritetet tona për vitin 2025, përfshijnë organizimin e konferencës së parë shkencore të Institutit, me pjesëmarrës akademikë nga dhjetëra universitete prestigjioze të botës, implementimin e software-it të avancuar digjital dhe funksionalizimin e plotë të IKKL-së, duke konsoliduar kështu rolin e IKKL-së në dokumentimin e të vërtetës historike.
Ju falënderojmë përzemërsisht secilen/in veç e veç për mbështetjen dhe përkushtimin tuaj dhe presim me optimizëm që viti 2025, të sjellë edhe më shumë suksese në përmbushjen e misionit tonë fisnik për ruajtjen dhe dokumentimin e të vërtetës historike.