Sot, përfaqësuesit e IKKL-së, me ftesë të Ritsumeikan University, prezantuan përvojën e Kosovës, në Seminarin Ndërkombëtar mbi Arkivimin e Krimeve të Luftës, i cili zhvillohet në Kyoto, Japoni. Ky seminar ka mbledhur akademikë, historianë, ekspertë të teknologjisë dhe drejtësisë tranzicionale nga e gjithë bota për të diskutuar mbi praktikat më të mira në dokumentimin dhe arkivimin fizik e digjital të krimeve të luftës.
Në këtë seminar, IKKL ndau sfidat dhe qasjet e përdorura në mbledhjen dhe arkivimin e materialeve që dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke kontribuar kështu në debatin global mbi ruajtjen e kujtesës historike dhe rëndësinë e drejtësisë tranzicionale. Pjesëmarrja në këtë seminar, përveç shkëmbimit të njohurive, forcon gjithashtu bashkëpunimin ndërkombëtar me institucionet akademike për dokumentimin shkencor të krimeve të luftës. Fuqizimi i arkivave fizike dhe digjitale të IKKL-së, siguron që e vërteta të ruhet dhe të mbetet e pandryshueshme për brezat e ardhshëm dhe për partnerët ndërkombëtarë që punojnë në këtë fushë.