Në përvjetorin e 30-të të gjenocidit në Srebrenicë, Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të organizuar në Prishtinë, për të nderuar kujtimin e 8,372 burrave dhe djemve boshnjakë të vrarë, si dhe mijëra grave të mbijetuara nga dhuna seksuale dhe zhvendosja me forcë.
Përvjetorët na kujtojnë se e kaluara nuk është vetëm histori, por edhe përgjegjësi për të dokumentuar dhe për të kërkuar drejtësi. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia jetike e bashkëpunimit rajonal si parakusht për një qasje të ndershme, të pavarur dhe të drejtë ndaj krimeve të së kaluarës. Në këtë frymë, IKKL ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me institucione shtetërore në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë. Por, përkundër këtij angazhimi të ndërsjellë në rajon, mungesa e gatishmërisë për bashkëpunim nga institucionet shtetërore të Serbisë mbetet pengesë serioze për përballjen e plotë me të kaluarën dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme në rajon.
Megjithatë, IKKL mbetet e përkushtuar që, përmes dokumentimit të krimeve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës, forcimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e të vërtetës historike.