Në përkujtim të Ditës së Çlirimit të Kosovës, sot u hap ekspozita “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe media”, një dëshmi autentike e sakrificës, qëndresës dhe rrugëtimit historik drejt lirisë.
Ekspozita, rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Institutit për Krime të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, MKRS-së, Bibliotekës Kombëtare, Arkivit Shtetëror dhe Muzeut Kombëtar, paraqet libra të rrallë, artikuj mediatikë, fotografi dhe dokumente arkivore për luftën në Kosovë. Materialet e ekspozuara përçojnë jo vetëm kujtesën historike, por edhe traumën dhe forcën kolektive për të ndërtuar të ardhmen mbi të vërtetën.
Ceremonia u nderua me praninë e Kryeministrit z. Albin Kurti dhe përfaqësuesve diplomatikë në vend, duke dëshmuar përkrahjen dhe respektin ndërkombëtar për historinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Për të gjithë të interesuarit ekspozita do të jetë e hapur për një muaj në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.