Gjatë qëndrimit në Ulqin, Tuz dhe Podgoricë, u zhvilluan takime me institucione, bashkësi fetare dhe individë që ruajnë materiale arkivore të rëndësishme për periudhën e viteve 1998–1999.
Në Bibliotekën e Ulqinit, ekipi i IKKL-së hulumtoi dhe skanoi mijëra faqe dokumentesh historike. U zhvilluan gjithashtu takime me Bashkësinë Islame, Lidhjen Demokratike në Mal të Zi, si dhe me qytetarë që dorëzuan materiale me vlerë të lartë dokumentare për arkivin e Institutit.
Në Komunën e Tuzit, stafi i IKKL-së u prit nga Kryetari i Komunës, si dhe zhvilloi takime me Kishën Katolike “Shën Antoni”, Bashkësinë Islame dhe Këshillin e Emergjencës, të cilët ndanë dëshmi të rëndësishme mbi dëbimet e dhunshme të kosovarëve gjatë luftës.
Vizita përfundoi në Podgoricë, ku u realizua takim me z. Velibor Čović, i cili dorëzoi materiale arkivore që dokumentojnë dëbimet e dhunshme të kosovarëve në Mal të Zi. Zyrtarët e IKKL-së vizituan gjithashtu Ambasadën e Republikës së Kosovës në Podgoricë, e cila ofroi mbështetje të vazhdueshme në arritjen e qëllimeve të Institutit.
IKKL shpreh mirënjohje të thellë ndaj institucioneve, bashkësive fetare dhe individëve në Mal të Zi për bashkëpunimin e tyre. Kjo vizitë forcon përkushtimin e Institutit për ruajtjen e kujtesës historike dhe dokumentimin e saktë të krimeve të luftës.







