Me qëllim të grumbullimit dhe sigurimit të materialeve arkivore që dëshmojnë krimet e luftës në Kosovë, stafi i IKKL-së realizoi vizitë zyrtare në Tiranë, për të zhvilluar hulumtime, si dhe takime me institucione dhe individë që ruajnë pjesë të rëndësishme të dokumentacionit.
Vizita nisi në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, ku u hulumtuan dhe u skanuan mijëra faqe artikujsh, raportimesh dhe librash mbi luftën dhe krimet serbe. Më pas, stafi i IKKL-së vijoi me takime në Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme dhe në Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, duke u koordinuar për dorëzimin e materialeve të tjera me vlerë për Institutin.
Në vijim, u mbajtën takime me Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), ku u ra dakord për nisjen e një bashkëpunimi, si dhe me z. Blendi Fevziu, i cili shprehu gatishmërinë që t’i dorëzojë IKKL-së materialet e TV Klan mbi luftën. Po ashtu, u arrit dakordësia për nënshkrimin e një memorandumi me Unionin e Mediave Shqiptare, drejtuar nga z. Aleksandër Çipa.
Stafi i IKKL-së zhvilloi takime edhe me individë që kishin kontribuar drejtpërdrejt në kohën e luftës, si z. Vladimir Shehu, i angazhuar në menaxhimin e krizës së të dëbuarve, dhe dr. Lavier Stroka, i cili kishte ndihmuar në trajtimin dhe mjekimin e tyre.
IKKL shpreh mirënjohjen e tij për institucionet, mediat dhe individët që mbështesin këtë mision, duke riafirmuar përkushtimin për të dokumentuar të vërtetën mbi krimet e luftës dhe për të thelluar bashkëpunimin në të ardhmen.