Mbledhja, sistemimi dhe ruajtja e dëshmive autentike që ndriçojnë të vërtetën historike mbetet pjesë thelbësore e misionit të IKKL-së. Gjatë ditëve të fundit, Instituti ka pritur një sërë kontribuuesish të rëndësishëm dhe ka pranuar materiale që pasurojnë fondin dokumentar mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
IKKL mirëpriti Dr. Shqiptar Demaçin, djalin e veprimtarit Adem Demaçi, i cili u njoh nga afër me punën dhe misionin e institutit dhe shprehu gatishmërinë për dorëzimin e materialeve arkivore të familjes. Një kontribut i çmuar erdhi edhe nga i burgosuri politik Halil Blakaj, i cili dorëzoi dokumente që dëshmojnë periudhën e torturave, maltretimeve dhe burgosjeve ndaj shqiptarëve gjatë regjimit serb. Materiale me vlerë historike dorëzoi edhe Milaim Grabovci nga Gjilani, duke kontribuar në pasurimin e arkivit dhe në dokumentimin e fakteve mbi krimet e luftës.
Në kuadër të bashkëpunimeve IKKL dhe TV BESA finalizuan nënshkrimin e Protokollit të Pranim-Dorëzimit të materialeve arkivore nga periudha 1998–1999, hap i rëndësishëm për ruajtjen dhe digjitalizimin e dëshmive të kohës.
Ekipi i Institutit realizoi gjithashtu një intervistë me z. Ramë Shabanin, të mbijetuar të masakrës së Reçakut, ndërsa z. Ali Berisha dorëzoi për herë të dytë materiale dokumentuese të rëndësishme, duke theksuar mbështetjen e tij për misionin e IKKL-së.
IKKL vlerëson lartë kontributin e secilit qytetar që ndan dokumente, fotografi apo dëshmi nga periudha e luftës dhe inkurajon të gjithë ata që posedojnë materiale të tilla t’i dorëzojnë në Institut. Çdo material i ruajtur është një hap i domosdoshëm drejt së vërtetës historike, drejtësisë dhe ruajtjes së kujtesës kolektive.




