Në këtë kuadër, stafi i IKKL-së u takua me z. Fadil Muqollin, përfaqësues i familjes së masakruar Muqolli nga Pokleku i Vjetër i Drenasit, i cili nënshkroi procesverbalin për dorëzim-pranim dhe dorëzoi materiale arkivore me vlerë për fondin e Institutit.
Po ashtu, znj. Lumturije Gashi Luci, profesoreshë e patologjisë, ndau përvojat e saj profesionale mbi periudhën e helmimeve të nxënësve shqiptarë gjatë viteve ’90.
Z. Ragip Shala, jurist dhe aktivist, nënshkroi procesverbalin e bashkëpunimit me IKKL, duke dorëzuar anketa të të dëbuarve nga regjimi serb, që dëshmojnë për krimet gjenocidale të kryera gjatë viteve 1998–1999.
Ndërsa z. Xhevdet Leci dorëzoi materiale që pasqyrojnë dhunën e ushtruar nga regjimi serb gjatë luftës, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Institutin.
Stafi i IKKL-së u takua me Dr. Besnik Bardhin nga Gjakova, i cili dorëzoi materiale të rëndësishme që dokumentojnë helmimet e viteve ’90.
Në mbështetje të këtij misioni, Radio Kosova e Lirë, me një trashëgimi mbi 26-vjeçare në dokumentimin e së vërtetës së luftës së fundit në Kosovë, dhe portali SuharekaOnline, kanë dorëzuar në IKKL pjesë të arkivave të tyre të çmuara – materiale audio, video, fotografi dhe dëshmi autentike të mbledhura ndër vite, që pasqyrojnë ngjarjet dhe krimet e luftës në Kosovë.
Instituti fton çdo qytetar që posedon dokumente, fotografi apo dëshmi nga koha e luftës t’i dorëzoj ato në IKKL. Çdo material i dorëzuar është një hap drejt të vërtetës historike, një garanci që krimet të mos harrohen dhe një kontribut i drejtpërdrejtë në ndërtimin e drejtësisë për brezat që vijnë.





