Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Masakra e Rrezallës

Në fshatin Rrezallë të Komunës së Skenderajt më 3 deri më 5 Prill të vitit 1999, serbët kanë vrarë e masakruar një numër të madh të shqiptarëve.

Sipas burimeve të arkivit të IKKL-së, më 5 prill 1999 serbët i rrethuan shtëpitë e familjeve të fshatit Rrezallë dhe vranë 41 civilë shqiptarë, në një vend të vetëm.1 Sipas banorëve të Rrezallës, viktimat u ekzekutuan në kodrën e lartë, në hyrje të lagjes së kodrave, ku sot është ngritur përmendorja në nderim të viktimave të kësaj masakre.

Në total, numri i të vrarëve gjatë luftës në Rrezallë dhe në rrethina përreth saj është 94 viktima. Nga të cilët 80 ishin banorë të Rrezallës, ndërsa 14 të tjerët mysafirë nga fshatrat përreth, si fshati Marinë.2

Harta Tematike: Masakra e Rezallës

Në viktimat e Rezallës ka burra, gra dhe fëmijë, prej të cilëve 9 janë gra ku njëra është ende e zhdukur, ndërsa 85 janë burra prej të cilëve dy janë ende të zhdukur.3 Ndërsa nga këto viktima më i riu ishte rreth moshës 6 vjeçare.

Grafikoni 1: Viktimat e Masakrës së Rezallës

Nga kjo masakër kanë mbijetuar Misin Deliu dhe Ismet Rukolli, të cilët e kanë dëshmuar vrasjen dhe dhunën e shqiptarëve në këtë masakër.

Sipas burimeve të arkivit të IKKL-së, 36 viktima të masakrës së Rrezallës u rrëmbyen dhe zhdukën, pak javë, pas ekzekutimeve.

Zhvendosja e trupave nga Kosova në territorin e Serbisë ishte pjesë e një plani shtetëror për të fshirë provat e krimeve të luftës. Kjo praktikë u përdor edhe në masakra të tjera dhe konsiderohet një nga aktet më të rënda të manipulimit pas-krimit.

Më pas, këto kufoma u zbuluan në varreza masive në territorin e Serbisë, konkretisht në:
– Rudnicë (Gurorja në Rudnicë, Rashkë)
– Kizhevak (në afërsi të ish-Minierës së Kizhevakut, Rashkë).

Nga 54 viktimat e zhvarrosura, gjatë vitit 2014, në Rudnicë, mbetjet mortore të 29 prej tyre ishin të viktimave të masakrës së Rrezallës. Ndërsa nga varreza masive në Kizhevak, gjatë zhvarrimeve gjatë vitit 2021, ishin zhvarrosur mbetjet mortore edhe të viktimave tjera të masakrës së Rrezallës, pra edhe 7 viktimave.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, masakra e Rrezallës është kryer nga ish Ushtria Jugosllave (Brigada e Motorizuar 37, që e kishte bazën në Rashkë dhe njësitet tjera ushtarake dhe policore serbe).


1Fondi për të Drejtën Humanitare. Dosja Rudnica, faqe 20. (Dosije_Rudnica_eng.pdf)
2Aliu, Hamdi, “Rrezalla në rrugëtim lirie”, Pristine 2008.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors