Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

MASAKRA E MEJËS DHE KORENICËS


Data e ngjarjes: 27 prill 1999

Lokacioni: Meje dhe Korenicë, Komuna e Gjakovës, Kosovë

Kategorizimi: Krime lufte, krim kundër njerëzimit dhe shkelje e të drejtave të njeriut

HYRJE DHE KONTEKSTI HISTORIK

Lufta në Kosovë ishte rezultat i tensioneve të gjata etnike dhe politike midis shqiptarëve të Kosovës dhe autoriteteve serbe.

Në vitin 1998, situata u përshkallëzua dhe gjatë viteve 1998 -1999 forcat serbe ndërmorën një sërë operacionesh të dhunshme kundër popullsisë shqiptare, përfshirë masakra masive, vrasje e keqtrajtime të civilëve dhe dëbime masive. Pas dështimit të bisedimeve të paqes, NATO ndërhyri ushtarakisht në mars të vitit 1999. Lufta përfundoi në qershor të vitit 1999, kur Kosova u vendos nën administrim ndërkombëtar, duke hapur rrugën për pavarësinë e saj në vitin 2008.

Në kulmin e ofensivave ushtarake dhe të spastrimit etnik, më 27 prill 1999 në fshatrat Mejë dhe Korenicë të komunës së Gjakovës ndodhi një nga ngjarjet më të rënda dhe tragjike të luftës së Kosovës. Kjo periudhë ishte e mbushur me dhunë dhe shkatërrim, ku  popullsia civile shqiptare e Kosovës ishte subjekt i spastrimeve etnike dhe krimeve të ndryshme të luftës nga forcat serbe. Kjo periudhë  që përfshin vitin 1999, shënoi kulmin e agresionit serb ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Ushtria dhe policia serbe shpërndanë dhunë ekstreme për të shtypur popullsinë civile dhe për të realizuar qëllimin e pastrimit etnik.

Masakra në Mejë dhe në Korenicë është një pasqyrë e këtij brutaliteti të pashmangshëm të spastrimit etnik ku u vranë 377 civil.

Në këtë rast janë shfrytëzuar analizat e specializuara të vrasjeve të civilëve shqiptarë në Masakrën e Mejës dhe Korenicës në komunën e Gjakovës. Këto analiza janë bazuar në 8 burime shkencore përfshirë organizatat ndërkombëtare, televizionet dhe organizatat kombëtare si dhe punën e hulumtimit në terren.1

PËRSHKRIMI I MASAKRËS

Në Mejë dhe Korenicë, më 27 prill 1999, forcat serbe vranë 377 civilë, prej të cilëve 376 ishin shqiptarë dhe një person ishte rom. Sipas këtyre të dhënave, nga 377 civilët e vrarë, katër prej tyre ishin femra, ndër to edhe Klaudia Malaj, e moshës 15 vjeçare, më e reja nga viktimat.2

Ky akt dhune e një strategjie sistematike të pastrimit etnik, ku civilët, respektivisht popullsia e këtyre fshatrave janë nxjerrë me dhunë nga shtëpitë e tyre nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare. Ata formuan një kolonë të gjatë rreth 5 km, e cila përfshinte traktorë, vetura, qerre dhe këmbësorë të cilët ishin dëbuar në drejtim të Shqipërisë.

Pas mbërritjes në fshatin Mejë, forcat serbe ndaluan kolonën e të dëbuarve dhe proceduan me ndarjen e meshkujve të moshës 16 deri në 70 vjeç nga pjesa tjetër e popullsisë. Personat e mbetur u plaçkitën, duke iu marrë të hollat dhe sendet me vlerë, nën kushte poshtëruese, fyerje verbale dhe keqtrajtime fizike. Pas këtij trajtimi, ata u detyruan të vazhdojnë rrugën drejt territorit të Shqipërisë. Fshati Mejë përfaqësonte një pikë kyçe grumbullimi për banorët e komunave përreth Gjakovës, përfshirë Junikun dhe Deçanin.

Në hartën 1 është paraqitur lokacioni i masakrës së Mejës dhe Korenicës si vendbanime pranë njëra – tjetrës me një distancë prej 3 km, duke shfaqur pozicionin gjeografik të këtyre dy fshatrave, të cilat ndodhen në një territor të caktuar, i cili ishte nën sulmet e forcave serbe në datën e 27 prillit. Është e rëndësishme të theksohet se harta ofron një pasqyrë të qartë të shpërndarjes së ngjarjës në këtë lokacion gjeografik, i cili ndodhet 11.2km nga kufiri me Shqipërinë.

Harta 1. Masakra e Mejës dhe Korenicës


Nëpërmjet kësaj harte shihet pozicionimi gjeografik i fshatit Mejë dhe Korenicë.

Masakra në Mejë dhe Korenicë mban emrin sipas dy fshatrave të Komunës së Gjakovës. Në mëngjesin e hershëm të datës 27 prill 1999 nisi ekzekutimi dhe zhdukja sistematike e civilëve shqiptarë. Kjo ngjarje është pasqyrim i një veprimi  të mirëorganizuar dhe të inskenuar me karakter ushtarako-strategjik, i cili synonte jo vetëm vrasjen masive të civilëve, por edhe dëbimin e popullsisë, djegien e vendbanimeve dhe fshehjen e gjurmëve të krimit përmes zhdukjes së trupave. Kjo strategji kishte për qëllim shkatërrimin fizik dhe psikologjik të popullatës civile shqiptare, duke përdorur format më ekstreme të dhunës, torturës dhe terrorit. Kjo dëshmohet edhe përmes provave të paraqitura në gjykimin ndaj Nikola Sainovic në databazën e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë(TPNJ) në hartën 2.

Kjo skemë tregon se  operacioni ushtarak ishte i planifikuar në mënyrë të detajuar dhe u realizua përmes koordinimit të disa strukturave kriminale serbe, të përfshira nga ushtria, policia dhe grupet paramilitare. Pas kryerjes së torturave fizike e psikologjike, si dhe vrasjeve të civilëve, një komponent thelbësor i këtij plani ishte fshehja e krimeve dhe mohimi institucional i përgjegjësisë. Strategjia përfshinte zhdukjen e trupave dhe eliminimin e çdo gjurme që mund të dëshmonte përmasat e mizorive të kryera. Ushtria dhe policia serbe siguronin kontrollin e territorit, ndërsa paramilitaret ishin përgjegjës për kryerjen e veprimeve mizore dhe masakrave ndaj popullsisë civile.4

Krimi në Mejë dhe Korenicë karakterizohet si:

  • Shkelje e të drejtave elementare të njeriut;
  • Masakër me karakter të theksuar të terrorit kolektiv;
  • Vrasje e civilëve të paarmatosur në prani të familjarëve të tyre;
  • Poshtërim ekstrem dhe mohim i dinjitetit njerëzor, edhe pas vdekjes;
  • Krim me natyrë të hapur etnike, pjesë e fushatës së gjerë të spastrimit etnik;
METODAT E KRIMIT

Metodat e përdorura në masakrën e Mejës dhe Korenicës reflektojnë një taktike ekstreme dhune, e cila mund të kategorizohet si një shkelje flagrante e normave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe si një histori e masakrave të njerëzimit. Bazuar në dëshmitë e grumbulluara nga arkivi i Institutit për Krime të Kryera në Kosovë (IKKL), është dokumentuar se viktimat e këtyre masakrave u vranë në mënyrë çnjerëzore, duke përfshirë përdorimin gjenocidit, ekzekutime masive dhe tortura, të cilat janë konsideruar si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Një dëshmi e rëndësishme që ndihmon në kuptimin e natyrës së këtyre krimeve është ajo e Nikollë Balaj që ofron një vështrim të drejtpërdrejtë dhe të dhëna të vlefshme për natyrën dhe përmasat e krimeve të luftës të kryera në fshatin Mejë. Balaj, i cili mbijetoi nga këto masakra, ka dëshmuar se më 27 prill 1999, gjatë udhëtimit në kolonën e dëbuar nga fshati Ramoc, forcat serbe e ndaluan atë dhe pesë individë të tjerë. Ata u detyruan të zhvisheshin lakuriq dhe u lidhën me duar pas shpine, ndërsa ndaj tyre u përdor një sprej të cilit nuk i dihej përbërja. Spreji u hodh në fytyrën e tyre, por për fat të mirë, Balaj mbeti i paprekur dhe i kthjellët. Gjithashtu raportoi se gjatë udhëtimit, ai dhe të tjerët u shkelmuan dhe u grushtuan. Civilëve shqiptarë ua konfiskuan dokumentet e identifikimit dhe i detyruan të niseshin në konvoje në drejtim të Shqipërisë, duke u thënë: ‘Shqipëria është vendi juaj. Kosova është e Jona!’.5

Dëshmia e tij thekson se pasi forcat serbe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, ata dërguan burrat në shtëpinë e Gjon Hasanit në fshatin Mejë, ku më pas u pushkatuan. Ky incident është një shembull i qartë i përdorimit të dhunës ekstreme, ekzekutimeve dhe torturave si pjesë e një strategjie të qëllimshme dhe të planifikuar për të krijuar frikë, për të kontrolluar popullatën civile dhe për të zbatuar një agjendë të spastrimeve etnike. Dëshmia e Nikollë Balaj është një nga shumë të tilla që ofron prova të padiskutueshme mbi përmasat dhe natyrën e krimeve të kryera gjatë Luftës së Kosovës. Tutje, në deklaratën e tij ai pohon se në të njëjtin fshat në hyrje të livadhit të Shyt Hasanit kishte parë dy trupa të femrave të masakruara. Ai gjithashtu ka përshkruar pamjen e tmerrshme të shumë njerëzve të vrarë. Megjithëse momente shumë të vështira për Nikollë Balaj, ai ia kishte dalur të vishej dhe të hipte në traktor.6

Dëshmi tjetër e rëndësishme është ajo e një gruaje 36 vjeçare nga mesi i refugjatëve, në deklaratën për HRW-në:

’ Ku erdhëm në Mejë, na ndalën sërbët, na lypshin pare e stoli ari. Më kërcënuen me fëmjë, bile edhe me bebën. Kishin mjekra edhe mbajshin maska. Na i morën me qafore, unaza, vothë, letërnjoftime, bile edhe torbat me tesha. Krejt na i morën. Teshat na i gjuejshin nëpër kaqçuba. Na bërtitshin me të egër, njanës bila ia mëshuan shuplakë.’’

Disa prej refugjatëve që kaluan nëpër Mejë e pastaj dolën në Shqipëri, ishin deklaruar se rrugës kishin pa trupa të grumbulluar të burrave të vrarë.7

Për dëbimet dhe djegiet e shtëpive, përveç dëshmitarëve shqiptarë, në gjykatën e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë dëshmuan edhe dy ushtarë  të UJ-së (ushtria jugosllave) të identifikuar nga kjo gjykatë si K73 dhe K90.8

Këto të dhëna tregojnë se forcat serbe përdorën metoda të jashtëzakonshme dhe të dhunshme në realizimin e kësaj masakre, duke përfshirë:

Vrasjen masive;

  • Torturën fizike dhe psikologjie;
  • Dëbimin masiv të civilëve nga shtëpitë e tyre;
  • Përdorimin e substancave të panjohura;
  • Torturën dhe keqtrajtimin;
  • Shkatërrimin e dinjitetit njerëzor.9

Të gjitha këto përbëjnë forma të metodave të përdorura gjatë masakrës së Mejës dhe Korenicës, të cilat janë përshkruar nga dëshmitarët e mbijetuar dhe janë dokumentuar në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të ligjit ndërkombëtar humanitar.

PËRKUJTIMI DHE RUAJTJA E KUJTESËS KOLEKTIVE

Në nderim të viktimave dhe për të ruajtur kujtimin e tyre, në fshatin Mejë dhe Korenicë është ndërtuar një monument përkujtimor.

Historia e ngjarjes së masakrës së Mejës dhe Korenicës mbeten një dëshmi e tmerrshme e pasojave të luftës dhe dhunës ndaj popullatës civile, si dhe një kujtesë e rëndësisë për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Figura 1 paraqet fotografitë dhe kompleksin memorial ku prehen viktimat civile të masakrës së Mejës.  Kompleksi memorial dhe varrezat shërbejnë si simbol i dhimbjes kolektive dhe kujtesës historike për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ato përfaqësojnë jo vetëm humbjen e jetëve të pafajshme, por edhe përpjekjen për të ruajtur të vërtetën historike dhe për të ndërtuar një kulturë të kujtesës kundër harresës dhe mohimit.

BURIMET

Ky dokument është përpiluar duke u bazuar në burimet e mëposhtme:

Arkivi i IKKL-së:

Burimet e Instituti të Krimeve të Kryera gjatë Luftës (IKKL).

Libra:

Dunant, H. (2025, 04 25). Konventat e Gjenevës nga 12 gushti 1949 dhe protokollet shtesë nga 1977 dhe 2005. Shkup, Maqedonia e Veriut .

Gashi, S. (2024). Masakrat në Kosovë. Prishtinë: Admovere, Integra.

Haxhibeqiri, F. (2011). Monografi e krimeve të luftës në Gjakovë 1998-1999. Gjakovë: Erpo-print.

Dokumentarë:

“Ata na mungojnë‘’, 27 prill 2025 https://www.youtube.com/watch?v=0V9corACzTk

Burime në internet:

International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia, The Hague, Netherlands 1993 – 2017.


1Marrë nga arkivi i Institutit për Krime të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL).
Në këtë rast janë shfrytëzuar analizat e specializuara të vrasjeve të civilëve shqiptarë në Masakrën e Mejës dhe Korenicës në komunën e Gjakovës. Këto analiza janë bazuar në 8 burime shkencore përfshirë organizatat ndërkombëtare, televizionet dhe organizatat kombëtare si dhe punën e hulumtimit në terren.
2Po aty.
3International Criminal Triubunal for the former Yugoslavia, qasur më 24 prill, 2025 në https://ucr.irmct.org/ dhe https://ucr.irmct.org/. Dëshmi nga procesi gjyqësor i Nikola Sainovic, Dragoljub Ojdanic, Nebojsa Pavkovic, Vladimir Lazarevic dhe Sreten Lukic, më 24.04.2025.
4Haxhibeqiri, F. (2011). Monografi e krimeve të luftës në Gjakovë 1998-1999. Gjakovë: Erpo-print. fq.46-48.
5Internationa Crisis Group, ‘’Reality Demands Documenting Violations of International Humanitarian Law in Kosovo 1999’’ Bruksel 2000. Shikuar më 24.04.2025 në https://www.crisisgroup.org/europe-central-asia/balkans/kosovo/reality-demands-documenting-violations-international-humanitarian-law-kosovo-1999
6Haxhibeqiri, F. (2011). Monografi e krimeve të luftës në Gjakovë 1998-1999. Gjakovë: Erpo-print. (Gashi, 2024) fq.53-55Ndwersa, pwr mw tepwr shih: YouTube, “Ata na mungojnë‘’, 27 prill 2025 https://www.youtube.com/watch?v=0V9corACzTk
7Gashi, S. (2024). Masakrat në Kosovë. Prishtinë: Admovere, Integra. fq.621-625
8Po aty, fq.621-625. Për më tepër shih: International Criminal Triubunal for the former Yugoslavia, https://ucr.irmct.org/ dhe https://ucr.irmct.org/ , dëshmi nga procesi gjyqësor i Nikola Sainovic, Dragoljub Ojdanic, Nebojsa Pavkovic, Vladimir Lazarevic dhe Sreten Lukic, më 24.04.2025
9Shih ICRC, ‘’The Geneva Conventions of 12 August 1949’’, Kapitulli  II – IV, Neni 50 https://shorturl.at/FXS6W

(Përkufizon shkeljet e rënda, si vrasja e qëllimshme, tortura dhe trajtimi çnjerëzor ndaj të plagosurve dhe personelit mjekësor), Geneve 1949. Metodat e dhunshme të përdorura gjatë masakrës së Mejës dhe Korenicës, si vrasjet masive, torturat, dëbimi dhe zhvendosja me forcë e civilëve. Këto  përbëjnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe janë në përputhje me disa nene të Konventave të Gjenevës, të cilat ndalojnë qartë veprime të tilla gjatë konflikteve të armatosura.

Sipas Konventës së parë të Gjenevës (1949), e cila rregullon mbrojtjen e personave të plagosur dhe të sëmurë në luftë, nuk lejohet që civilët të bëhen objekt i veprimeve të dhunshme, vrasjeve arbitrare ose të torturave. Përdorimi i dhunës ekstreme ndaj civilëve, siç është përshkruar në dëshmitë e mbledhura për masakrën e Mejës dhe Korenicës, është në shkelje të Nenit 3 të Konventës së parë të Gjenevës, i cili garanton mbrojtjen e civilëve dhe ndalon trajtimin çnjerëzor dhe shkatërrimin e pasurive civile pa një arsyetim të drejtë ushtarak.

Po ashtu, Konventa e katërt e Gjenevës (1949), e cila është më specifike për mbrojtjen e civilëve gjatë luftës, ndalon dëbimin e forcës dhe shkatërrimin e pasurive civile përveçse për nevoja ushtarake urgjente. Aktet e dëbimit masiv të civilëve nga forcat serbe, si dhe djegia e shtëpive të civilëve, janë qartë të papranueshme sipas këtyre standardeve ndërkombëtare. Në nenin 49 të Konventës së katërt të Gjenevës përcaktohet qartë se dëbimi i civilëve për arsye që nuk lidhen me nevojat ushtarake është një shkelje e rëndë. Për më tepër, krimet e torturës dhe vrasjes së civilëve pa ndonjë gjyq të ligjshëm janë të ndaluara në mënyrë të qartë nga Protokolli II i Konventave të Gjenevës (1977), i cili ndalon ekzekutimet pa gjyq të personave të kapur dhe ndalon përdorimin e dhunës mbi civilët. Përdorimi i torturave dhe ekzekutimet e paligjshme gjatë masakrës janë në shkelje të këtij protokolli.

10Fotografi e marrë nga faqja e Agjencisë Ekzekutive për Projektimin, Ndërtimin, Administrimin dhe Menaxhimin e Komplekseve Memoriale. Qasur më 25 prill, 2025: https://amkmk.rks-gov.net/acadp_listings/kompleksi-memorial-27-prilli-meje/


Ky dokumentim është përgatitur nga Instituti i Kosovës për Krime Lufte (IKKL) si pjesë e projektit të dokumentimit sistematik të krimeve të luftës në Kosovë (1998-1999). Qëllimi i këtij dokumenti është ruajtja e kujtesës historike dhe kontributi në procesin e drejtësisë për viktimat e luftës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors