Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Masakra e Kralanit

Masakra e Kralanit e 4 prillit të vitit 1999, mbetet një nga ngjarjet më tragjike dhe të dhimbshme të periudhës së luftës në Kosovë. Kjo masakër shënon një nga momentet më të errëta të luftës në Kosovë, gjatë të cilës humbën jetën gjithsej 86 civil shqiptar, prej të cilëve 4 kanë qenë gra, dhe 82 burra, ndërsa fëmijë nga mosha 0 deri në 17 vjeç kanë qenë 7, ndërkohë disa nga ta ende rezultojnë të zhdukur.

Harta Tematike 1: Masakra e Kralanit

Më 2 prill 1999 Kralani ishte pushatuar nga serbët, të cilët gratë dhe fëmijët që gjendeshin në fshat i kishin urdhëruar që ta vazhdonin rrugën drejt Gjakovës, për t’u larguar më pastaj për në Shqipëri. Shumë prej këtyre grave, të intervistuara më pas në Shqipëri kishin deklaruar se gjatë rrugës për në kufi, serbët ua kishin marrë arin dhe sendet e tjera me vlerë, si dhe i kishin ngacmuar dhe kërcënuar se do t’i përdhunonin dhe vrisnin.1 Këto dëshmi pasqyrojnë brutalitetin dhe terrorin e që është ushtruar ndaj civilëve të pafajshëm.

Ndërkaq, sipas burimeve të arkivit të IKKL-së qindra burra shqiptarë, ishin ndaluar nga serbët dhe ishin detyruar të zhvishen dhe të qëndrojnë me kokën poshtë. Ata ishin mbajtur gjatë natës në kushte të rënda, pa ujë dhe pa ushqim, duke u ekspozuar në shi dhe nën mundime të tjera fizike dhe psikologjike.

Ka pasur disa raste kur prindërit kishin kërkuar nga serbët që t’i ndalonin ata dhe të lironin të bijtë e tyre. Një rast i tillë ishte ai i Din Halilaj, i cili kërkoi nga serbët që ta ndërronte me të birin. Fatkeqësisht, për të dy, si për Dinin ashtu edhe për djalin e tij, ende nuk dihet asgjë, pasi ata janë të zhdukur. Kjo ngjarje është një tjetër dëshmi e tmerrit dhe dhunës që ka përjetuar populli shqiptar gjatë periudhës së luftës, dhe ka lënë pas një numër të madh të të zhdukurve dhe viktimash të pafajshme.2

Foto 1: Naim Din HALILAJ.3

Hysen Krasniqi është i vetmi i mbijetuar i kësaj masakre, i cili në dëshminë e tij të dhënë menjëherë, mbas lufte për KMDLNj ka thënë:

“Neve që na ndan na futën në oborrin e një shpie edhe na ndanë në grupe kah 15 veta. Filluan me na gjuajtur me automatikë. Isha i parafundit dhe plumbi më rroku herën e parë në krahun e majtë, të dytën në shpinë, e tët tretë në këmbën e djathtë. Kur jam kthjell e kam parë se krejt i kishin vrarë. Jam qu i plagostë në trup e me gjakderdhje të vazhdueshme kamë ec zvarrë nja katër km, rreth tetë orë, deri sa kam mbërri te një shtëpi e boshatisun, ku kam ndejtur deri të nesërmen në mjez”

Sipas burimeve të arkivit të IKKL-së, serbët gjatë luftës kanë vrarë e masakruar një numër të madh të civilëve pa kursyer moshën e as gjininë. Në grafikonin e më poshtëm shihet se 95% e të vrarëve në masakrën e Kralanit kanë qenë burra, kurse 5 % kanë qenë gra, (shih grafikonin).

Grafikoni 1: Civilët e vrarë në masakrën e Kralanit

Kjo masakër ka lënë pas një dhimbje të thellë për familjet e prekura dhe është një kujtesë e tmerrshme e periudhës së historisë së Kosovës.


1Shkëlzen Gashi, Masakrat në Kosovë, 2024, fq.418.
2Shkëlzen Gashi, Masakrat në Kosovë, 2024, fq.418-419.
3Jusuf Osmanit, Masakra e Kralanit, 2012, fq 103.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors