Gjatë sesionit të tretë, patëm privilegjin ta dëgjonim Dr. Nevenka Tromp-in, ligjëruese në University of Amsterdam / Universiteit van Amsterdam dhe ish-hulumtuese kryesore në ekipin e prokurorisë kundër Slobodan Milošević në ICTY. Ky sesion u moderua në mënyrë të shkëlqyer nga Vesa Sahatçiu, pjesë e Citizen Diplomacy Fellowship, e angazhuar në IKKL.
Pikat Kryesore
Fuqia e Arkivave Gjyqësore në Shkrimin e Historisë
Gjykimet penale prodhojnë dëshmi të rëndësishme historike, por një pjesë e madhe e këtij materiali mbetet e paarritshme për publikun. Përderisa, proceset gjyqësore kanë për qëllim provimin e fajësisë, arkivat e tyre përmbajnë dokumente, dëshmi dhe materiale audiovizive që formësojnë të kuptuarit e historisë.
Dallimi midis Shkrimit të Historisë, Përfaqësimit Historik dhe Historiografisë
Dr. Tromp sqaroi se:
Shkrimi i historisë rindërton ngjarjet mbi baza faktike.
Përfaqësimi historik përdor narrativën për të kornizuar ngjarjet në mënyra të caktuara.
Historiografia shqyrton sesi historia është shkruar ndër vite dhe sfidon narrativat ekzistuese.
Roli i Mekanizmave Ligjorë në Përgjegjësinë Ndërkombëtare
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) luan një rol kyç në mbajtjen e shteteve përgjegjëse për krime të rënda. Edhe kur rastet e gjenocidit nuk çojnë gjithmonë në dënime penale, ato ndërtojnë një rekord ligjor dhe historik që sfidon mohimin dhe ndikon në diskursin politik global.
Mësime për Kosovën
Kur u pyet për rrugëtimin e Kosovës në betejat ligjore, mesazhi i Dr. Tromp ishte i qartë: këmbëngulja është thelbësore. Duke iu referuar rasteve të Srebrenicës dhe Kroaci-Serbi, ajo theksoi se proceset ligjore kërkojnë kohë, por janë të domosdoshme për të vendosur të vërtetën historike dhe për të siguruar drejtësi.
Pse Ka Rëndësi?
Gjykimet ligjore nuk shërbejnë vetëm për të dhënë drejtësi—ato formësojnë historinë. Përderisa Kosova, vazhdon përpjekjet për të vërtetën, drejtësinë dhe njohjen ndërkombëtare, është thelbësore që arkivat ligjore, vendimet gjyqësore dhe narrativat historike të jenë të hapura dhe të qasshme për publikun.
Një falënderim i sinqertë për Dr. Nevenka Tromp, për analizat e saj të çmuara, dhe për të gjithë ata që morën pjesë në këtë diskutim të rëndësishëm.
Ndjekja e drejtësisë dhe e së vërtetës historike është një proces i vazhdueshëm, ndaj duhet të mbetemi të përkushtuar ndaj tij.