Sot, më 17 Shkurt 2024, në hapësirat e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), rr. Arbënor e Astrit Dehari nr. 25, Prishtina 10000, zhvillohet ceremonia e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para në IKKL.
Kjo ngjarje përshkruan një hap të rëndësishëm në drejtim të misionit të IKKL-së për mbledhjen, dokumentimin, arkivimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës.
Rëndësia e bashkëpunimit me akterët e ndryshëm që kanë kontribuar në këtë fushë, si institucionet shtetërore, botën akademike, mediat, organizatat joqeveritare, aktivistët dhe qytetarët e vendit, është jetike për IKKL-në. Funksionalizimi i IKKL-së është një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe ruajtjes të së vërtetës historike, dhe krijon parakushte për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.
E veçanta e kësaj ngjarje është fakti që ajo përkon me Ditën e Pavarësisë në Kosovë, duke e bërë këtë akt të jetë një simbol i rëndësishëm për identitetin dokumentues dhe hulumtues të IKKL-së.
Në këtë ceremoni të veçantë, marrin pjesë Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, z. Atdhe Hetemi, dhe Kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZHK), z. Ahmet Grajçevci.
Ceremonia e pranim dorëzimit do të filloj nga ora 14:00, pas kësaj Kryeministri Kurti dhe dy pjesmarrësit e tjerë do të deklarohen për gazetarët.