Këto dy javë, IKKL ka pranuar materiale të reja që kontribuojnë në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin dhe besimin e të gjithë atyre që ndanë përvojat dhe materialet e tyre me ne.
Shukri Biqkaj, vëllai i Muhamet Biqkaj nga Hogoshti i Komunës së Kamenicës, dorëzoi fotografi dëshmuese të vëllait të tij të vrarë në Armatën Jugosllave. Po ashtu, kusheriri i tij, Xhemush Bicku – teolog dhe autor i librit “Një Lapidar për tre ushtarë”, solli materiale që përfshijnë edhe dy të vrarët tjerë në APJ, Florim Kosumi dhe Muharrem Robelli.
Murat Ahmeti, nga fshati Greme i Ferizajt, ndau rrëfimin e tij mbi përjetimet pas djegies së shtëpisë nga forcat serbe. Gjatë tentativës për të kaluar në Maqedoni me familjen, ai u ndalua dhe u nda nga familja, duke u dërguar në burgun e improvizuar në Ferizaj, ku u maltretua brutalisht për dy javë. Pas alivanosjes, u hodh në kosh të mbeturinave, por për fat të mirë u gjet dhe u ndihmua nga një bashkëfshatar.
U realizua takim me TV 21, ku u nënshkrua procesverbali dhe u morën materiale arkivore/digjitale.
Valon Basha nga Sllapuzhani i Suharekës dha dëshmi-deklaratë për dhunën, dëbimin, marrjen dhe vrasjen e babait të tij nga forcat serbe.
Ismajl Ramadani nga Gaçka, komuna e Ferizajt, dha dëshmi si dëshmitar në plagosjen e nënës dhe dëbimin nga fshati nga forcat ushtarake serbe.
Driton Murseli nga fshati Llashticë, komuna e Gjilanit, dha deklaratë si dëshmitar dhe i mbijetuar i vrasjeve të civilëve shqiptarë nga paramilitarët serbë, më 13 prill 1999, në fshatin Llashticë.
Gazetari i Zërit të Amerikës, Besim Abazi, dorëzoi materiale arkivore elektronike që përmbajnë pamje të ndryshme që dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë.
Agim Sylejmani, shkrimtar dhe ish i burgosur politik, dhuroi për institutin tetë botime autoriale me tematika që lidhen me dhunën, burgosjet dhe rrëfimet për luftën në Kosovë.
Dr. Ibush Ahmeti dhuroi për institutin ditarin e luftës, ku ka dokumentuar përvojën e tij si mjek gjatë luftës, duke trajtuar dhe shëruar shumë civilë dhe ushtarë të UÇK-së.
Halit Berisha, aktivist nga Suhareka, dhuroi për institutin dokumente të ndryshme që lidhen me luftën në Kosovë.
Halime Kurtishaj nga Suhareka dha dëshmi-deklaratë për përjetimet gjatë luftës dhe vrasjen e familjarëve të saj.
IKKL falënderon të gjithë kontribuesit për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre në ruajtjen e kujtesës historike.