IKKL vazhdon të pasurojë arkivin me materiale të reja e me rëndësi të veçantë dokumentuese, falë kontributit të qytetarëve, studiuesve dhe profesionistëve të angazhuar në ruajtjen e kujtesës kolektive. Gjatë ditëve të fundit, Instituti ka mbledhur materiale me vlerë të madhe historike.
Avni Spahiu i dhuroi Institutit disa nga botimet e tij dhe shprehu gatishmërinë për të kontribuar me materiale të tjera.
Fotoreporteri dhe gazetari i viteve 1997–2000, Visar Kryeziu, nënshkroi procesverbalin e bashkëpunimit për dorëzimin e një sasie të konsiderueshme të fotografive nga periudha e luftës.
Afrim Caka nga Gjakova dorëzoi librin e tij të sapobotuar “Ata u vranë – lanë pas vetes historinë”, një punë kolosale mbi 20-vjeçare.
Dom Lush Gjergji, kryetar i Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë”, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, shprehu gatishmërinë për të mbështetur misionin e IKKL-së.
Studiuesi i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Haxhi Ademi, solli dokumente që dëshmojnë krimet e kryera në Drenicë gjatë luftës së fundit, si dhe materiale mbi krimet serbo-sllave ndaj popullsisë shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Aktivistja nga Gjeneva, Mirsada Vranja, nënshkroi procesverbalin e dorëzimit të materialeve arkivore që lidhen me periudhën e luftës.
Publicisti Hazir Mehmeti, që vepron në Vjenë dhe është anëtar i Asociacionit të Fotografëve Botëror në Florida, i dhuroi Institutit libra mbi helmimet e nxënësve në Kosovë dhe mbi studimet shqiptaro-austriake.
Mejdi Hajrizi nga Pogragja e Gjilanit dhe Hysni Hisenaj nga Abria e Drenasit, gjithashtu dorëzuan materiale arkivore, përfshirë edhe kaseta VHS me dëshmi të krimeve të luftës.
Poetja Suzan Gjergji vizitoi IKKL-në dhe dhuroi librin e saj me poezi të titulluar “Vargje për fëmijërinë që nuk e gëzuan”.
Në Kastriot, përfaqësuesit e OVL-UÇK-së, Fehmi Mjeku dhe Imer Grajçevci, i dorëzuan Institutit listat e dëshmorëve të komunës dhe u zotuan për bashkëpunim të mëtejmë në procesin e dokumentimit.
Haki Mehmeti nga Lloshkobarja e Ferizajt ndau rrëfimin e tij personal nga periudha e luftës, i cili tashmë ruhet si dëshmi në arkivin e IKKL-së.
Ndërkohë, është nënshkruar edhe Protokolli i bashkëpunimit me TV Opoja, për vënien në dispozicion të materialeve filmike arkivore nga lufta.
Instituti falënderon të gjithë kontribuesit për materialet e dhuruara, të cilat do të shërbejnë si dëshmi të krimeve të luftës dhe si pjesë e kujtesës sonë historike.
IKKL gjithashtu fton qytetarët që posedojnë dokumente, fotografi apo kujtime nga lufta, të bashkohen në këtë mision për ruajtjen e së vërtetës historike.








