Sot u mblodhëm për të reflektuar mbi një nga momentet më sfiduese në historinë tonë – eksodin e tmerrshëm të “Bllaca 99”. Kjo ngjarje përfaqëson sakrificën dhe guximin e jashtëzakonshëm të mijëra shqiptarëve që u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre nën kërcënimin e dhunës së shfrenuar.
Përmes këtij tubimi, ne jo vetëm që nderojmë kujtimin e atyre që vuajtën gjatë atyre ditëve të vështira, por gjithashtu riafirmojmë angazhimin tonë për të siguruar që këto ngjarje të mbeten të dokumentuara. Qendra përkujtimore “Bllaca 99” simbolizon jo vetëm dhimbjen dhe sakrificën, por edhe forcën dhe vendosmërinë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë mbi këto kujtime.
Le të përdorim këtë rast si thirrje për t’a forcuar bashkëpunimin dhe për të zgjeruar përpjekjet tona kolektive në ruajtjen e historisë sonë. Është thelbësore që çdo zë dhe çdo dëshmi të dëgjohen dhe të ruhen, për të ndihmuar në ndërtimin e një narrative të plotë dhe të saktë të asaj periudhe.