Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së, Atdhe Hetemi, e informoi Kryeministrin për rezultatet e arritura në dokumentimin dhe hulumtimin shkencor lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe për konsolidimin institucional e profesional të institutut. Në takim u theksua zgjerimi i shtrirjes së institutit në të gjitha rajonet e Kosovës, pasurimi i fondit arkivor me materiale fizike dhe digjitale të mbledhura nga mbi 650 burime prej 14 vendeve të ndryshme të botës, si dhe zhvillimi i projekteve kyçe si databaza e viktimave të luftës, fillimi i projektit “Kujtesa e Masakrave në Kosovë”, botimet nga konferencat shkencore dhe forumi “Zà n’Kujtesë”.
Kryeministri Kurti vlerësoi punën e stafit dhe rolin e Institutit si mekanizëm shtetëror për ruajtjen dhe zbardhjen e së vërtetës historike, duke e cilësuar IKKL-në si nyje institucionale që grumbullon dhe ndan informata për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ai ritheksoi rëndësinë që ka dokumentimi i besueshëm për drejtësinë tranzicionale, për familjet e viktimave dhe për vetë shtetin.
Drejtori Hetemi e falënderoi Kryeministrin dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe trajtimin me prioritet të kërkesave të Institutit, si dhe shprehu mirënjohje për qytetarët, familjet dhe mediat që kanë kontribuar me materiale e dëshmi në forcimin e kujtesës kolektive.
Kjo vizitë konfirmon përkushtimin institucional për ta ruajtur, dokumentuar dhe vënë në shërbim të publikut dhe drejtësisë memorien për krimet e luftës në Kosovë, në përputhje me mandatin ligjor dhe misionin e IKKL-së.








