Gjatë kësaj jave, në Llashticë të Gjilanit, u takuam me kryetarin e fshatit, Naser Ibishi dhe drejtorin e shkollës, Nehat Shabani. Ata na dorëzuan lista të të vrarëve dhe fotografi që dokumentojnë ngjarjet historike të zonës.
Organizata Medica Kosova na solli informacione të vlefshme lidhur me përvojat e grave gjatë periudhës së luftës, duke shtuar një dimension të rëndësishëm në dokumentacionin tonë.
Veprimtari i njohur nga Mitrovica, Fadil Syla, kontribuoi me dy dosje të gjera që përmbajnë mbi 500 faqe informacion. Këto dokumente përfshijnë të dhëna të detajuara për dëmet ekonomike, fizike dhe aktivitete të tjera, kryesisht nga lagjia Shipol.
Në Prishtinë, patëm nderin të presim Zaharie Podrimqaku Subashin, ish e burgosur politike. Ajo na dorëzoi dosje të vlefshme që hedhin dritë mbi përvojat e ish të burgosurve politikë, duke shtuar një perspektivë unike në arkivën tonë.
IKKL është e përkushtuar në mbledhjen e këtyre dëshmive të rëndësishme dhe është vazhdimisht duke bashkëpunuar ngushtë me individë dhe komunitete, për të dokumentuar me saktësi ngjarjet e kësaj periudhe kritike të historisë sonë.