IKKL ka pasuruar më tej arkivin e vet me materiale të çmuara dokumentare, falë kontributit të qytetarëve të angazhuar në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e luftës në Kosovë.
Gazetari i njohur Shaqir Foniqi dorëzoi materiale origjinale që dëshmojnë dhunën sistematike të regjimit serb në Kosovë, si dhe rrëfimet e tij personale të kohës së luftës, të dhëna për media vendore dhe ndërkombëtare.
Teuta Haxhimus-Çerkini, ish-përkthyese e UÇK-së, dhuroi romanin e saj “Ëndrra e Anës”, një dëshmi artistike e fuqishme që përshkruan traumën kolektive të popullit shqiptar, nga dhuna shtetërore e ish-Jugosllavisë, përjashtimi nga shkollat, protestat studentore, lufta e UÇK-së, bombardimet e NATO-s, deri tek çlirimi i vendit.
Egzon Gashi, djali i gazetarit të mirënjohur Sulejman Gashi, shprehu gatishmërinë për të dorëzuar trashëgiminë dokumentare të të atit dhe për të bashkëpunuar me IKKL-në në procesin e dokumentimit të krimeve serbe, një akt që ndërthur kujtimin familjar me përgjegjësinë kolektive.
Lutfi Jusufi, autor i monografisë për fshatin Slivovë (Ferizaj), i dorëzoi IKKL-së këtë botim që përshkruan krimet brutale të kryera nga forcat serbe: kidnapimet, burgosjet, vrasjet, djegiet dhe dëbimin masiv të popullatës shqiptare.
Ndërkohë, Muharrem Curri nga fshati Dremjak (Hani i Elezit) dha dëshmi mbi përjetimet e tij gjatë luftës, torturat dhe mizoritë e kryera nga forcat serbe në zonën e tij.
IKKL falënderon nga zemra të gjithë dhuruesit. Kontributi i tyre është i paçmueshëm në misionin tonë për dokumentim dhe memorie institucionale.
Ftojmë të gjithë qytetarët që posedojnë dëshmi, dokumente, fotografi apo kujtime nga lufta, të na bashkohen në këtë mision historik. Çdo dëshmi ka rëndësi. Çdo zë ndriçon të vërtetën.