Gjatë takimit, pjesëmarrësit u informuan nga afër me misionin e IKKL-së, proceset e dokumentimit, arkivimin e materialeve të shumta fizike dhe digjitale, si dhe procedurat për qasje në dokumentet dhe dëshmitë arkivore.
Përfaqësuesit e IKKL-së folën rreth materialeve që posedon Instituti, si dokumente origjinale, fotografi autentike, intervista, video-dëshmi dhe materiale të tjera, të cilat përbëjnë një fond unik arkivor mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Këto burime të pazëvendësueshme mund të shndërrohen në filma artistikë, dokumentarë, projekte audiovizuale dhe narrativa kreative që forcojnë dokumentimin e së vërtetës historike për luftën, pasojat, traumën, rezistencën dhe përjetimet e mijëra qytetarëve.
Përmes përdorimit të këtyre materialeve në art dhe film, fuqizohet zëri ynë në arenën ndërkombëtare, duke sjellë histori të vërteta të Kosovës në projekte që mund të jehonojnë përtej kufijve tanë.
IKKL falënderon Fakultetin e Arteve dhe studentët për mikpritjen, interesimin dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.


