Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors

Fuqizimi i Dokumentimit të Krimeve të Luftës në Kosovë: Një Rrugë Drejt Drejtësisë dhe Llogaridhënies

Sot, paneli ynë i parë diskutoi rëndësinë e dokumentimit dhe hetimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

🎤 Seanca, e moderuar me profesionalizëm nga Etnike Dibrani (Zyrtare e Lartë për Zhvillim të Projekteve Hulumtuese, IKKL), solli në vëmendje kontributet e Prof. Anna Di Lellio (New York University), Dr. Atdhe Hetemi (Drejtori Ekzekutiv, IKKL) dhe Rona Karahoda (Charles University & eksperte e angazhuar në IKKL).

Panelistët analizuan sfidat e dokumentimit të krimeve të luftës, rolin e qasjeve të ndjeshme ndaj gjinisë dhe nevojën për krijimin e kornizave institucionale për të garantuar llogaridhënie.

Njohja e Viktimave dhe Drejtësia Tranzicionale

Prof. Anna Di Lellio theksoi nevojën për njohje më gjithëpërfshirëse të të mbijetuarve, veçanërisht atyre që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës:

“Të mbijetuarit kërkojnë njohje. Kanë pasur njëfarë njohjeje në këto 10 vitet e fundit, por është ajo që e quaj njohje e cekët. Ata kërkojnë njohje të thellë.”

Ajo vuri në dukje përdorimin sistematik të dhunës seksuale si një armë lufte, duke theksuar rolin e saj në spastrimin etnik:

“Të mbijetuarit nuk u përdhunuan sepse ishin individë – ata u përdhunuan sepse ishin shqiptarë.”

Prof. Di Lellio gjithashtu identifikoi modelet e dhunës riprodhuese, duke nënvizuar domosdoshmërinë e një qasjeje të ndjeshme ndaj gjinisë në procesin e drejtësisë tranzicionale.

📃 Ndërtimi i një Qasjeje Sistematike për Dokumentimin e Krimeve të Luftës:

Dr. Atdhe Hetemi dhe Dr. Rona Karahoda adresuan fragmentarizimin e përpjekjeve për dokumentim dhe sfidat në konsistencën ligjore dhe metodologjike, duke theksuar se:

✔ Mungesa e koordinimit mes institucioneve ka dobësuar proceset ligjore.

✔ Kornizat e pamjaftueshme ligjore kanë kufizuar përdorimin e provave në proceset gjyqësore.

✔ Revizionizmi historik mbetet një sfidë kur krimet e luftës nuk dokumentohen në mënyrë të plotë.

Diskutimi nënvizoi rolin kritik të dokumentimit të plotë dhe të besueshëm të krimeve të luftës për të siguruar drejtësi për të mbijetuarit dhe për të kundërshtuar shtrembërimet historike. Siç tha Di Lellio:

“Nuk kemi një urdhër të shkruar apo një përshkrim të planit për të zhdukur shqiptarët, por duke analizuar modelet e shkatërrimit, mund të shohim organizimin dhe planifikimin pas tyre.”

Institucionalizimi i dokumentimit të krimeve të luftës është thelbësor për llogaridhënien ligjore, saktësinë historike dhe për të siguruar që përvojat e të mbijetuarve të njihen dhe të ruhen. Paneli theksoi se historia e Kosovës duhet të dokumentohet përmes kërkimeve rigoroze, standardeve ligjore dhe një qasjeje të bazuar te të mbijetuarit në drejtësinë tranzicionale.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors