Ka qenë vit i mbushur me angazhim dhe punë intensive. Kemi pasuruar arkivin me materiale të mbledhura brenda dhe jashtë vendit, kemi zgjeruar bashkëpunimet me institucione dhe studiues, dhe kemi zhvilluar aktivitete shkencore e kulturore duke respektuar parimet me të cilat punojmë.
Bisedat me të mbijetuar dhe me familjarë të viktimave na kanë kujtuar në çdo hap përgjegjësinë që mbajmë. Ju jemi përjetësisht mirënjohës për besimin, historitë dhe materialet që kanë ndarë me ne. Po ashtu, falënderojmë institucionet e Republikës së Kosovës, partnerët brenda e jashtë vendit, studiuesit, koleksionuesit dhe mediat që na kanë mbështetur. Arritjet e këtij viti janë rezultat i punës sonë të përbashkët. Vitin e ardhshëm do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, por duke i kushtuar edhe më shumë vëmendje cilësisë dhe integritetit të aktiviteteve tona, me bindjen se mund të sjellim edhe më shumë dobi për institucionet dhe shoqërinë.
Si shenjë vlerësimi për angazhimin e saj të vazhdueshëm, këtë vit menaxhmenti i IKKL-së ka ndarë çmimin “Punëtore e Dalluar e Vitit” për znj. Kimete Haxholli. Ky vlerësim është gjithashtu dëshmi se në Institut puna vlerësohet, përkushtimi shihet dhe kontributi nuk humbet.
Ju urojmë të gjithëve Vitin e Ri 2026, me shëndet dhe vendosmëri për të çuar përpara atë që kemi nisur!




