Sonte në shfaqjen e dokumentarit “Return to Kosovo” në Kino Armata në Prishtinë, Drejtori Hetemi bisedoi me ekipin realizues, i falenderoi ata për dokumentimin e kësaj masakre dhe shprehu gatishmerinë e bashkëpunimit me mediat dhe gazetarët ndërkombëtarë.
Filmi dokumentar “Return to Kosovo” shpalos rrëfimin e gazetarit anglez Julius Strauss për Masakrën e Abrisë që kishte ndodhur më 26 shtator 1998. Aty ishin vrarë dhe masakruar nga forcat serbe, 22 anëtarë të familjes Deliu. Gazetari Strauss kishte arritur të evidentonte me fotografi këtë krim makabër dhe ta takonte fëmijën atëbotë 5 vjeçar të mbijetuar nga kjo masakër. Sot kur Besniku është rritur, takohet sërish me gazetarin dhe ndajnë kujtimet për atë periudhë të vështirë.
Dokumentari zhvillohet me pamje autentike dhe rrëfime ekskluzive nga Imer Deliu, që e humbi familjen në këtë ngjarje, Besnik Deliu i cili si fëmijë i vogël i mbijetoi masakrës dhe nga vetë gazetari Julius Strauss./IKKL