Arkivi i IKKL-së pasurohet me dëshmi të reja të luftës
Arkivit të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë iu shtuan materiale të rëndësishme arkivore, falë kontributit vullnetar të qytetarëve dhe protagonistëve të angazhuar në dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës sonë historike.
Me qëllim të marrjes së materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë, zyrtarët e IKKL-së vizituan ambientet e Radio Kukësit, ku u pritën nga drejtori i radios, z. Jonuz Hallaci, ish-drejtori i TV Kukësit, z. Baudin Murati, dhe z. Izet Ademaj, qytetar i mbijetuar nga shpërthimi i minave në Kosovë.
Në IKKL patëm kënaqësinë të mirëpresim, z. Jahja Lluka, i cili na nderoi me disa nga botimet e tij autoriale. Me këtë rast, ai shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm me Institutin, për çka i jemi mirënjohës dhe e vlerësojmë lartë kontributin e tij në dokumentimin e së kaluarës sonë historike.
z. Kriste Krasniqi, kryetari i fshatit Nepole të Pejës, së bashku me dëshmitarët nga fshati Nepole, dorëzuan dëshmi të rëndësishme përmes deklaratave dhe fotografive lidhur me ngjarjet dhe të vrarët nga regjimi serb nga fshati i tyre.
z. Hysen Ibrahimi i cili jeton dhe vepron në Suedi i dhuroi Institutit librin me titull “Abdyl Uka- hero i dëshmuar i Atdheut”, përmes z. Sadri Imeri.
IKKL mirëpriti gazetaren polake, Weronika Kochan e cila është duke hulumtuar për krimet e luftës në Kosovë dhe po përgatit një libër për këtë çështje. Gjatë takimit, IKKL paraqiti punën e tij të vazhdueshme në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës, duke ofruar mundësi për bashkëpunim me gazetarët dhe hulumtuesit ndërkombëtarë që po kontribuojnë në ruajtjen e të vërtetës historike.
IKKL falënderon të gjithë dhuruesit për besimin dhe përkushtimin. Kontributi i tyre forcon misionin tonë për dokumentim, drejtësi dhe memorie kolektive.
Ftojmë edhe të tjerët të dhurojnë, çdo kujtim, fotografi apo dëshmi ka rëndësi dhe ndihmon në ndriçimin e së vërtetës.
