Në nderim të Ditës së Çlirimit, Konsullata e Republikës së Kosovës në Toronto, në bashkëpunim me NATO Association of Canada dhe në ambientet e Royal Canadian Military Institute, organizoi ngjarjen me temë: “A NATO Success Story: Kosovo’s Liberation and Post-Conflict State-Building.”
Në këtë ngjarje, Dr. Hetemi mbajti një ligjëratë mbi rëndësinë historike të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, rrugëtimin e Kosovës drejt drejtësisë dhe sfidat e vazhdueshme të dokumentimit të krimeve të luftës. Pjesë e kontributit të IKKL-së në këtë aktivitet ishin gjithashtu një dokumentar i shkurtër mbi luftën në Kosovë, një koleksion fotografish arkivore, si dhe dëshmia e një të mbijetuare të dhunës seksuale, e paraqitur me ndjeshmëri dhe përgjegjësi të plotë.
IKKL shpreh falënderim të veçantë për z. Kadri Dakaj, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Toronto, për përkushtimin dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm në promovimin e të vërtetës për Kosovën në arenën ndërkombëtare.