Sot, përkujtojmë 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut, një ngjarje që nuk është vetëm dëshmi e dhimbjes së popullit tonë, por edhe e kurajës së jashtëzakonshme. Banorët e Reçakut, nuk u dorëzuan përballë terrorit, sakrifica e tyre dhe guximi për të përballuar padrejtësitë na frymëzojnë edhe sot. Por ajo që ndryshoi historinë ishte edhe dokumentimi i mirëfilltë i kësaj masakre. Përmes dëshmive të mbledhura në mënyrë profesionale dhe të përpiktë nga vëzhguesit ndërkombëtarë, përkatësisht Ambasadori William Walker, e vërteta për krimet e kryera në Reçak u nxor në dritë. Ky dokumentim, jo vetëm që shokoi botën, por mobilizoi mbështetjen ndërkombëtare dhe çoi në ndërhyrjen vendimtare të NATO-s, e cila ndihmoi në ndaljen e dhunës dhe shpëtimin e mijëra jetëve.
Andaj, Masakra e Reçakut është thirrje që të mos harrojmë asnjëherë sakrificën e popullit tonë dhe të vazhdojmë të punojmë për një dokumentim të mirëfilltë të të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, rrjedhimisht për një të ardhme më të drejtë dhe paqësore.