Rrustem Krelani nuk e dëgjoi nga të tjerët atë që ndodhi në Qirez. Ai ishte aty. Ai pa. Mbijetoi.
Pasi u morën me kamionë nga policia ushtarake serbe, u dërguan në vendin ku po kryheshin ekzekutimet. Kamioni në të cilin ndodhej ai u ndal dhe u detyruan të shikonin vrasjen e njerëzve para tyre.
Sipas dëshmisë së Krelanit, viktimat u ekzekutuan në dy lokacione, 50–60 metra larg njëra-tjetres. Rreth 10-15 persona u pushkatuan një nga një, ndërsa të tjerët grumbull, përnjëherë, me mitrolozë.
Rrustem Krelani mbijetoi për të dëshmuar atë që pa. Sot, rrëfimi i tij bëhet pjesë e kujtesës së dokumentuar të luftës në Kosovë – që përjetimet e viktimave dhe të mbijetuarve të ruhen, të dokumentohen dhe t’u përcillen brezave.