Esat Bylykbashi, nga Tërsteniku i Drenasit, me vendbanim në Francë, i cili gjatë luftës ishte i plagosur, ndërsa vëllai i tij ishte vrarë nga forcat serbe, nënshkroi procesverbalin dhe dorëzoi dëshmitë e tij në IKKL.
Tahir Kolgeci, jurist dhe aktivist nga Vraniqi i Suharekës, dorëzoi 24 fotografi që dokumentojnë dhunën, djegien dhe shkatërrimin e shtëpive, si dhe dëbimin me dhunë të popullsisë nga forcat serbe. Ai dorëzoi gjithashtu dokumente të rëndësishme nga periudha e luftës.
Bejtush Isufi nga Prishtina dorëzoi dokumente me vlerë dokumentuese, ndërsa me Ahmet Demirin nga Gjilani, i mbijetuar i masakrës në Burgun e Dubravës, u realizua një intervistë autentike, me p’rast pasuroi arkivin e Institutit me një dëshmi të rëndësishme për dokumentimin e krimeve të luftës.
Në kuadër të procesit të dokumentimit është regjistruar edhe dëshmia e Halise Balajt, e mbijetuar e masakrës së familjes Balaj në Pejë. Përmes rrëfimit të saj, ajo dëshmoi për vrasjen e anëtarëve të familjes, përfshirë fëmijët e saj, si dhe për plagët e rënda me të cilat i mbijetoi masakrës.
Salih Ahmeti, nga Reçaku i Shtimes, dorëzoi dëshmi lidhur me dëmet materiale të shkaktuara nga forcat policore dhe ushtarake serbe gjatë luftës.
Ndërkaq, Zelqif Bardhi, nga Bllaca e Maqedonisë së Veriut, dorëzoi një kasetë me incizime të refugjatëve nga Kosova gjatë qëndrimit të tyre në Maqedoni. Pamjet përbëjnë material me rëndësi për dokumentimin e dëbimit të popullsisë dhe pasojave të luftës.
IKKL shpreh mirënjohje për të gjithë qytetarët dhe dëshmitarët që, përmes rrëfimeve dhe materialeve të tyre, kontribuojnë në dokumentimin dhe ruajtjen e së vërtetës për ngjarjet e luftës në Kosovë




