Gjatë kësaj periudhe, z. Sabedin Hasallar nga Rezhanca e Hanit të Elezit, ish-i burgosur politik dhe i mbijetuar i Masakrës së Dubravës, shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me IKKL-në, duke dorëzuar materiale dhe dëshmi që dokumentojnë ngjarjet e përjetuara gjatë luftës.
Z. Skender Behrami nga Klina nënshkroi procesverbalin e dorëzim-pranimit dhe dorëzoi materiale të rëndësishme arkivore që dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë, duke kontribuar në pasurimin e fondit dokumentar të Institutit.
Regjisori Ramazan Hajdini, me vendqëndrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nënshkroi procesverbalin e dorëzim-pranimit dhe shprehu gatishmërinë për t’i dorëzuar IKKL-së materiale arkivore me rëndësi të veçantë për dokumentimin e historisë së luftës në Kosovë.
Në kuadër të bashkëpunimit institucional, IKKL zhvilloi takim me drejtorin e FOTOIST, z. Burim Myftiu, me të cilin u nënshkrua procesverbali i dorëzim-pranimit të materialeve arkivore, si dhe u dakordua bashkëpunimi në fushën e fotografisë dhe filmit. Ky bashkëpunim synon pasurimin e fondit arkivor të Institutit dhe avancimin e dokumentimit përmes fotografisë dhe filmit, si forma të rëndësishme të ruajtjes së kujtesës historike dhe kulturore.
Po ashtu, stafi i IKKL-së priti në takim Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Republikën e Sllovenisë, z. Valdet Sadiku. Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e arritjes së një bashkëpunimi me Arkivin e Republikës së Sllovenisë dhe institucione të tjera relevante, me qëllim forcimin e hulumtimit, dokumentimit dhe ruajtjes së materialeve arkivore që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë.
Gjithashtu, u zhvillua një takim me znj. Teuta Elshani, vajzën e shkrimtarit Ymer Elshani, i cili u vra gjatë Masakrës së Poklekut së bashku me bashkëshorten dhe katër djemtë e tyre. Ata ishin ndër 53 civilët shqiptarë të masakruar në këtë krim. Gjatë takimit, znj. Elshani ndau dëshminë e saj për krimet e kryera gjatë luftës dhe i dhuroi Institutit fotografi, dokumente dhe materiale të tjera arkivore që dëshmojnë për ngjarjet e asaj periudhe. Këto materiale pasurojnë fondin dokumentar të IKKL-së dhe kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës historike dhe dokumentimin e krimeve të luftës.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, IKKL priti edhe veprimtarin z. Shefqet Dibrani, i cili i dhuroi Institutit dy libra të autorësisë së tij dhe materiale fotografike dokumentuese, ndër to edhe fotografi nga procesi i zhvarrosjes së babait të tij, të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Materialet e dhuruara përbëjnë dëshmi me rëndësi të veçantë për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe pasurimin e arkivit të Institutit.
IKKL shpreh mirënjohjen e sinqertë për të gjithë qytetarët, të mbijetuarit, veprimtarët, artistët dhe përfaqësuesit institucionalë që, përmes kontributit të tyre, po ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës historike, dokumentimin e së vërtetës dhe pasurimin e fondit arkivor të Institutit, në shërbim të brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë.





