Gjatë vizitës u zhvilluan takime me Drejtoreshën e Nobel Peace Center, përfaqësues të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Oslo, zyrtarë të iniciativës britanike Preventing Sexual Violence in Conflict (PSVI), profesorë dhe hulumtues të Universitetit të Oslos, si dhe me studiues dhe studentë shqiptarë të angazhuar në universitetet norvegjeze.
Një nga aktivitetet kryesore të vizitës ishte pjesëmarrja në inaugurimin publik të instalacionit “Thinking of You” të artistes Alketa Xhafa Mripa, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, z. Hetemi theksoi se Kosova, nga një vend që dikur përfitoi nga mbështetja dhe ekspertiza ndërkombëtare, sot po ndan përvojën e saj në dokumentimin e krimeve të luftës, ruajtjen e kujtesës dhe mbështetjen e shoqërive që përballen me pasojat e konflikteve.
Vizita shërbeu për prezantimin e mandatit dhe aktiviteteve të Institutit, forcimin e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë dhe promovimin e përvojës së Kosovës në fushën e dokumentimit të krimeve të luftës dhe drejtësisë tranzicionale.
IKKL shpreh mirënjohje të veçantë për Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Norvegji, znj. Nita Luci, mbështetjen dhe angazhimin e saj në promovimin e punës së Institutit dhe krijimin e mundësive për prezantimin e përvojës së Kosovës në forume ndërkombëtare.